Politikë

Përsëritje e zgjedhjeve! KAS, nesër vendimin për Kukësin! Fieri dhe Durrësi shtyhen

PD kërkon pavlefshmërinë dhe përsëritjen e zgjedhjeve për këtë qark.

F.I
Përsëritje e zgjedhjeve! KAS, nesër vendimin për
PAMJE NGA MBLEDHJA

TIRANË-Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve zhvilloi ditën e sotme mbledhjet e radhës për shqyrtimet e ankimimeve të Partisë Demokratike, në lidhje me kontestimin e tabelave të rezultateve të zgjedhjeve të 11 majit të certifikuara nga KQZ për të 12 qarqet.

Të enjten në orën 09:50 do shprehet për Kukësin, KAS i kërkon PD-së të sjellë provat që pretendon për dy qarqet Fier dhe Durrës. Aulon Kalasë iu pranua ankimimi, por duhet të japë prova, s’ka ende vendim për rinumërim. KAS përfundoi edhe shqyrtimin e kërkesës ankimore nr. 37 (qarku Kukës) dhe njoftoi se “vendimmarrja do të shpallet ditën e enjte (nesër), datë 5 qershor, në orën 09:50”. PD kërkon pavlefshmërinë dhe përsëritjen e zgjedhjeve për këtë qark.

Përfaqësuesi i PD-së, Franc Nuri, pretendoi në ankimimin e tij për Fierin, ku demokratët humbën thellë 12 me 4 mandate ndaj PS-së, se kishte parregullsi të shumta, duke u përqendruar tek përdorimi i makinerisë shtetërore dhe administratës, patronazhistëve dhe deri tek ‘asfalti elektoral’, devijimi i votës dhe veçanërisht vota e diasporës e manipuluar. Ai kërkoi hapjen e kutive, verifikimin e votave të diasporës dhe fletëve të papërdorura, kërkesë që PD e shtoi më pas për të 12 qarqet që konteston.

KAS pasi dëgjoi pretendimet për prova, shtyu mbledhjen për Fierin pas një jave, me qëllim shqyrtimin apo grumbullimin e mëtejshëm të tyre.

Më pas diskutimi kaloi edhe te Durrësi, ku u vu re prezenca në sallë edhe e dy prej kandidatëve të PD-së, Aulon Kalaja dhe Ilirjana Kuçana, që pretendojnë manipulimin e votës brenda partisë, që u ka hequr mandatin atyre në favor të Arjan Ndojës.

KAS e ka pranuar Kalanë si ankimues, por pa garantuar ende rinumërimin që kërkojnë. Pas diskutimeve me përfaqësuesit e KAS, sepse sipas ligjit kandidatët nuk mund të përfaqësohen individualisht, por me partinë, u kërkua verifikimi i 39 kutive.

Në fund, relatori i çështjes, Elvis Çefa, deklaroi shtyrjen e seancës dhe rimbledhjen e trupës për vendim ditën e martë, datën 10 qershor, ora 13:00 e pasdites.

Poll

MOS HUMB