TIRANË- Kuvendi do të mblidhet sot në seancë plenare, ku në rendin e ditës janë parashikuar dy interpelanca të kërkuara nga opozita me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupajn, dhe ministren e Arsimit, Mirela Kumbaron.
Ministri Jaupaj do t’u përgjigjet pyetjeve të opozitës lidhur me situatën e 102 kontejnerëve që përmbajnë rreth 2,816 tonë mbetje të rrezikshme dhe toksike. Ndërsa në interpelancën me ministren Kumbaro, opozita pritet të kërkojë sqarime për situatën në kopshte dhe çerdhe.
Në rendin e ditës janë përfshirë edhe disa projektligje. Kuvendi pritet të shqyrtojë dërgimin e trupave ushtarake shqiptare në Gaza, në kuadër të Forcës së Stabilitetit të krijuar nga Bordi i Paqes, nismë e thirrur nga presidenti amerikan Donald Trump. Pritet të diskutohet edhe projektligji për sigurinë juridike, mbrojtjen e zotëruesve të titujve dhe integritetin e tregut. Nisma synon të përcaktojë më qartë kompetencat dhe rolin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Rendi i ditës
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 24.9.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 17.9.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Mjedisit, z. Sofjan Jaupaj, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
4. Interpelancë urgjente me Ministren e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
5. Projektligji “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit, në Gaza”.
6. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10236, datë 18.2.2010, “Për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike”.
7. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
Paralelisht, këtë të enjte qytetarët do të mblidhen në orën 09:30 para Kuvendit të Shqipërisë, kur deputetët do të zhvillojnë seancën plenare. Prej ditësh, protestuesit kanë paralajmëruar se seancat e Kuvendit do të shoqërohen me tubime paradite, duke e zhvendosur për disa orë protestën nga Kryeministria drejt Parlamentit./ZËRI