TIRANË-Kuvendi i Shqipërisë doli me një deklaratë të përbashkët lidhur me vendimin e dhënë një ditë më parë nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, ku u shpreh se nuk bie dakort me aktgjykimin dhe nuk mund të rishkruhet historinë e një populli dhe as të barazohet agresori me viktimën.
Por akuzat mes opozitës dhe mazhorancës, nuk munguan edhe pse u bënë bashkë për deklaratën. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se i futi thikën pas shpine Kosovës. Berisha deklaroi se Rama shkoi si i deleguar i Vuçiç në Kosovë për të diktuar votimin për ngritjen e Gjykatës Speciale. Në replikë kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla akuzoi Sali Berishën se ka punuar kundër Hashim Thaçit dhe ka takuar rusin që hartoi raportin që i hapi rrugë ngritjes së Gjykatës Speciale.
Sali Berisha: I futi thikën pas shpine Kosovës, shkoi dhe diktoi votimin e një ligji që nuk votohej kurrë. Shkoi i deleguar i Aleksandër Vuçiç. Shkoi kreu porositë e Vuçiç, e dëgjove o kryetar të thotë një fjalë të vetme. Çfarë tha ai për këtë që ndodhi në Hagë. Ku e keni ministrin.
Taulant Balla: Në anën e kundërt të historisë, në ka një person që, të paktën ndaj Hashim Thaçit, ka qenë më agresiv, më i dëmshëm, është Sali Berisha, sepse e dini fare mirë deklaratën e tij publike se Thaçi duhet të shkojë në Hagë, ku duhet të pastrohet. I vetmi në këtë sallë që e ka takuar iniciuesin, shkruesin e këtij raporti, rusin Konstantin Kosachev, ai quhet Sali Berisha. Nuk ka një të dytë që ta ketë takuar. E ka takuar vetëm 40 ditë nga 25 janari i vitit 2015, kur është votuar rezoluta në KiE, kur kjo parti ka qenë në anën e duhur të historisë, ndërsa ju keni votuar pro rezolutës që ngriti gjykatën në Kosovë. Këto teatrot se ju jeni atdhetarët, se ne qenkemi tradhtarët, lërini për një kohë tjetër.