VLORË- Bashkia e Vlorës nuk gjen qetësi, ndërsa përplasjet e vazhdueshme edhe publike mes kryeministrit Edi Rama dhe Ermal Dredhës kanë kulmuar pasditen e djeshme me dorëheqjen e këtij të fundit. Dy vite pas fitores së zgjedhjeve lokale të vitit 2023, Ermal Dredha largohet nga drejtimi i bashkisë më të rëndësishme të jugut të vendit, ndërsa disa zhvillime të ditës së djeshme japin indicie, se ky vendim i tij ka qenë i ndikuar nga marrëdhënia e tensionuar me pushtetin qendror.
Gjatë ditës së djeshme në Vlorë mësohet se ka shkuar drejtuesi politik i qarkut Bledi Çuçi, ndërsa një zhvillim edhe më interesant është emërimi i fundit që Dredha ka bërë, ai i nënkryetarit Elis Halili. Ky i fundit me profesion inxhinier, ka qenë në krye të disa projekteve që janë kryer në jug nga “Fusha shpk”. Me gjasë flitet që Halili do të qëndrojë në krye të bashkisë deri në zgjedhjet e reja lokale, nëse socialistët nuk do të zgjedhin një artificë tjetër për drejtimin e Vlorës.
Dredha, para zgjedhjeve të 2023-shit në Vlorë ka shërbyer si ambassador i Shqipërisë në Emiratet Arabe, ndërsa njihej si një prej njerëzve të afërt edhe në rrethana familjare me ish-kryeparlamentarin Gramoz Ruçi. Në mesazhin e fundit që iu ka dërguar vartësve, Dredha nuk e fsheh keqardhjen për largimin e tij pas mbylljes së sezonit turistik në Vlorë.
“Faleminderit dhe ndjesë që po e lë këtë rrugëtim në mes, por sinqerisht, për mua ka qenë privilegj & kënaqësi t’ju shërbej, edhe pse jo të gjithëve zgjidh hallët! Duke ju uruar më të mirën juve dhe familjeve tuaja, me shumë respekt, Ermali”, – thuhet në mesazhin e tij drejtuar kolegëve.
Ndërkohë që një një mesazh të gjatë të bërë sot në rrjetet sociale, Dredha shprehet se dorëheqja vjen si një akt reflektimi personal.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Vlorës,
Me mirënjohje dhe përulësi, për gjithçka ndamë bashkë përgjatë këtij rrugëtimi, bashkë me falenderimet e pafundme për çdo mbështetje, po ndaj me ju letrën time të dorëheqjes!
Shpresoj në mirëkuptimin tuaj, me bindjen që Vlora ka plotë mundësi për kontribute të vyera! Si djalë i këtij qyteti kaq të dashur, do të shërbej në çdo formë, njësoj siç kam bërë çdo ditë të karrierës sime diplomatike sepse e vetmja gjë që mbetet e pandryshuar është që Vlora do të jetë gjithnjë e para në zemrën time!
I nderuar z. Kryeministër,
Sot, me përgjegjësinë më të lartë morale dhe institucionale, kam vendosur të paraqes dorëheqjen time nga detyra si Kryetar i Bashkisë së Vlorës.
Ky është një nga ato momente ku fjala nuk del lehtë, jo sepse mungon bindja, por sepse pesha e asaj që dua të them është e madhe dhe shumë e ndjeshme për mua si njeri, si shërbyes publik dhe si bir i këtij komuniteti që e dua me gjithë zemër.
Pavarësisht sfidave dhe vështirësive që janë shfaqur gjatë rrugës, kam besuar gjithmonë se transparenca dhe puna e ndershme janë baza mbi të cilat ndërtohet një shërbim i mirëfilltë ndaj komunitetit.
Kam jetuar çdo ditë të këtij detyrimi me përkushtim të plotë dhe zell. Kam bërë më të mirën që kam ditur e mundur, ndoshta jo gjithmonë mjaftueshëm, por gjithmonë me ndershmëri. Kam qenë pranë njerëzve në ditë të mira dhe në ditë të vështira, dhe i kam ndjerë hallet dhe shpresat e tyre si të ishin familja ime.
Megjithatë, besoj se në një moment të caktuar është e rëndësishme të dish të largohesh me dinjitet, për t’i hapur rrugë energjive dhe ideve të reja.
Dorëheqja ime vjen si një akt reflektimi dhe përgjegjësie. Rrethanat aktuale, familjare dhe personale, apo dhe ato politike e administrative, më shtyjnë të besoj se dorëheqja ime është veprimi mëi drejtë në këtë moment. Ky vendim nuk nënkupton largim nga përgjegjësia publike, por është një akt i vetëdijshëm për të krijuar hapësirë për ide dhe ritme të reja zhvillimi për bashkinë tonë.
Z. Kryeministër,
Ju falënderoj për bashkëpunimin institucional! Ky vendim nuk ndryshon as respektin dhe as përgjegjësinë që ndjej ndaj vendit tim dhe ndaj qytetarëve tanë.
Ju falënderoj për çdo mbështetje që më keni dhënë dhe për çdo shpresë që kemi ndarë së bashku. Unë mbetem i përkushtuar ndaj komunitetit tim dhe do të vazhdoj të kontribuoj në forma të tjera për të mirën e përbashkët.
Me respekt të thellë,
Ermal Dredha
Dredha nuk është kryebashkiaku i parë i Vlorës që nuk hyn në listën e të preferuarve të kryeministrit. Më herët, një fat të ngjashëm me të pati edhe Dritan Leli, i cili në muajt e fundit në krye të bashkisë ndërpreu pothuajse çdo komunikim me pushtetin qëndror, pas refuzimit për të dhënë dorëheqjen. Për këtë shkak ai nuk u rikandidua në zgjedhjet e vitit 2023. Po ashtu një tjetër socialist, Shpëtim Gjika, njihet për përplasjet e tij me kryeministrin, ndërsa qytetarët e Vlorës tashmë janë në pritje të emrit të ri për kreun e pushtetit lokal.
Tensionet mes Ramës dhe Dredhës u shfaqën publikisht në Qershor të këtij viti, ky kryeministri i kërkoi llogari të parit të Vlorës, në festën e socialistëve për fitoren e zgjedhjeve të Majit. Në javët që pasuan Rama u shfaq disa herë në ambientet e bashkisë, i pakënaqur me menaxhimin e punëve përgjatë sezonit turistik, ndërsa Vlora u përforcua dhe me praninë e herëpashershme të ministrave, që jepnin urdhra ndaj drejtuesve të institucioneve të varësisë. /ZËRI
