Politikë

Vuçiç paralajmëroi "ditë të vështira", ministri Hoxha i përgjigjet: Mos i fryni zjarreve të luftës, rajoni s'mund të tërhiqet zvarrë

Ai u shpreh se përpjekjet për të rikthyer ndasitë e së kaluarës dhe për të nxitur tensione nuk do të mund të pengojnë proceset e pajtimit dhe bashkëpunimit në rajon.

zh.ll
Vuçiç paralajmëroi "ditë të
hoxha-vucic

TIRANË- Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili pak ditë më parë akuzoi Shqipërinë, Kosovën dhe Kroacinë se kanë krijuar një aleancë kundër Serbisë në rajon.

Gjatë konferencës së përbashkët me homolugun kroat, Gordan Grliç-Radman, ministri Hoxha theksoi se partneriteti është bashkëpunim mes aleatëve të NATO-së. Ai u shpreh se përpjekjet për të rikthyer ndasitë e së kaluarës dhe për të nxitur tensione nuk do të mund të pengojnë proceset e pajtimit dhe bashkëpunimit në rajon.

”Si dy vende anëtare të NATO-s, Shqipëria dhe Kroacia kanë përgjegjësi dhe kontribuojnë në mënyrë aktive për paqen e stabilitetin rajonal, si dhe atë ndërkombëtar, duke përfshirë pjesëmarrjen në KFOR në Kosovë dhe EUFOR ALTHEA në Bosnjë-Hercegovinë. Prandaj çdo angazhim i yni, koordinim dypalësh, tripalësh apo më shumë nuk duhet të shqetësojë askënd e as të përdoret nga askush, në rajon apo jashtë tij, për të justifikuar militarizimin e vendit e shoqërisë e aq më pak për t’i fryrë zjarreve të rrezikshme të luftërave dhe për të rikthyer thirrjet arkaike për fitore e përkatësi territoriale. Kushdo që ëndërron një kthim pas në histori duhet të kuptojë se në të vërtetë ka mbetur pas në kohë dhe në mendësi. Asnjë përpjekje për të ringjallur ndasitë e së kaluarës, për të ushqyer tensione apo për të penguar proceset e pajtimit dhe bashkëpunimit nuk do të mund ta tërheqë zvarrë rajonin dhe as të cenojë të ardhmen tonë të përbashkët evropiane”, tha Hoxha.

Reagimi i ministrit të Jashtëm vjen pas deklaratave të Vuçiç gjatë një ceremonie të Forcave të Armatosura serbe në Banjicë, ku ai tha se Shqipëria, Kosova dhe Kroacia kishin formuar një aleancë kundër Serbisë dhe paralajmëroi se "ditë të vështira" e presin vendin e tij.

“Ata po formonin aleanca kundër nesh në rajon, ne i kuptuam këto lëvizje dhe filluam të ofrojmë atë që nevojitej. Në kohën e sotme të trazirave dhe mungesës së ligjit ndërkombëtar, në një kohë kur Karta e OKB-së nuk po zbatohet, ju jeni garantuesi i sigurisë dhe mbrojtjes së qytetarëve të Serbisë. Ditët e përgjegjësisë ju presin, ditë më të vështira po vijnë, për këtë jeni trajnuar”, tha Vuçiç të shtunën.

Marrëveshja ushtarake mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë u nënshkrua në mars të 2025 dhe që prej asaj kohe, Beogradi e ka cilësuar si një aleancë kundër tij, duke e përdorur edhe si justifikim për shtimin e kapaciteteve ushtarake nga Kina dhe Rusia.

Poll

MOS HUMB