TIRANË- Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend propozimin për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0, e cila parashikon riorganizimin e hartës së pushtetit vendor dhe uljen e numrit të bashkive në 15 të tilla, nga 61 në 46.
Sipas draftit të bërë publik nga mazhoranca, synimi i reformës është rritja e eficiencës së administrimit vendor dhe përmirësimi i ofrimit të shërbimeve për qytetarët, përmes konsolidimit të disa bashkive ekzistuese.
Në listën e bashkive që propozohet të shkrihen janë: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, të cilat do t’i bashkohen bashkive më të mëdha.
Sipas propozimit, struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.
PS bën të ditur se drafti i reformës u është përcjellë njëkohësisht edhe kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë në të gjithë vendin për shqyrtim.
Modeli i ri ruan bashkinë si të vetmen njësi të vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill bashkiak, një administratë dhe një buxhet të vetëm, ndërsa parashikon bashkimin e disa njësive vendore në funksion të një administrimi më efikas.
Si ëshë dhe çfarë ndryshon sipas PS-së?
Aktualisht, skema aktuale është "Bashki-Njësi Administrative, ndërsa me reformën e re do të jetë "Bashki-Qytet-Njësi Administrative". Me reformën e re, Partia Socialiste kërkon që banorët e zonave që bashkohen në një bashki të madhe të kenë një përfaqësim më të drejtpërdrejtë përmes nivelit “Qytet”, pa krijuar bashki të reja.
Qyteti nuk do të jetë një bashki më vete dhe nuk do të ketë kryetar të zgjedhur, por do të shërbejë si një strukturë ndërmjetëse për të koordinuar më mirë shërbimet dhe nevojat e zonave që përfshihen në një bashki të madhe.
Propozimi i Partisë Socialiste synon të ketë më pak bashki, por me territore më të mëdha, ku brenda tyre do të ketë qytete dhe njësi administrative që do të menaxhojnë më afër shërbimet për banorët.
Sipas draftit, propozohet bashkimi i këtyre njësive vendore:
-Fushë-Arrëz + Pukë → Bashkia Pukë
-Klos + Mat → Bashkia Mat
-Rrogozhinë + Kavajë → Bashkia Kavajë
-Dimal + Berat + Poliçan → Bashkia Berat
-Patos + Fier → Bashkia Fier
-Divjakë + Lushnjë → Bashkia Lushnjë
-Selenicë + Vlorë → Bashkia Vlorë
-Maliq + Korçë → Bashkia Korçë
-Këlcyrë + Përmet → Bashkia Përmet
-Memaliaj + Tepelenë → Bashkia Tepelenë
-Libohovë + Gjirokastër → Bashkia Gjirokastër
-Cërrik + Elbasan + Belsh → Bashkia Elbasan
-Prrenjas + Librazhd → Bashkia Librazhd
/ZËRI