
TIRANË- Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do t'i kushtojnë 9 miliardë lekë buxhetit të Shtetit. Por në projektbuxhetin për vitin që vjen, për zgjedhjet janë parashikuar pak më pak se 3 milionë lekë, shumë kjo e pakonsiderueshme për kryekomisionerin Ilirjan Celibashi.
Në Komisionin e Ligjeve, Celibashi kërkoi fonde shtesë për mirëmbajtjet teknologjike të nevojshme, por edhe për procesin zgjedhor.
“Kemi parashikuar votim elektronik në qarkun e Tiranës. Kemi patur një komunikim formal me partitë politike në lidhje me këtë çështje. Deri në momentin që flasim nuk e kemi dakortësinë e të gjitha palëve. Kjo është një gjë që duhet ta kemi në konsideratë ne si institucion për shkak të sensibilitetit që ka kjo mënyrë votimi. Është e domosdoshme të kemi një opinion të partive politike në lidhje me këtë. Ne nuk kemi vendosur akoma dhe nuk di të them sot nëse do të duhet ta marrim këtë vendim për të konsideruar komponentin të pëlqimit ose mos pëlqimit politik duke vlerësuar sa kjo shkon në respektim apo mos respektim të ligjit,”- tha Celibashi.
Në këtë pikë, Celibashi preku edhe çështjen e votimit elektronik që kërkohet të implementohet edhe për Tiranën. Por për këtë qark, KQZ nuk ka marrë aprovimin e opozitës. Në fjalën e Celibashit, ndërhyri deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili kërkoi transparencë mbi vendimmarrjen për votimin dhe numërimin elektronik.
“S’ka transparencë për votimin elektronik, çfarë e ka penguar për të shtrirë në gjithë Shqipërinë ose të paktën minimumi në 5 qarqe dhe sado të jetë kostoja shtesë nëse e realizojmë në 5 qarqe dhe jo vetën në Tiranë,”-tha Alibeaj. Por kryekomisioneri hodhi poshtë edhe akuzat e opozitës për mungesë transparencë në votimin elektronik dhe edhe njëherë sqaroi se mundësia për të manipuluar votën është zero.
Sa i përket kostos për votën e diasporës, Celibashi u shpreh se po shqyrtohet mundësia që të sigurohet nga shteti mbulimi i kostos financiare për dërgimin dhe kthimin e votës së emigrantëve. Po ashtu tha se afatet për regjistrimin e subjekteve ligjore për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm duhet të ndryshojnë, në mënyrë që mos të ketë pengesa që emigrantët të votojnë.
“Shqetësim na ka dalë afati për regjistrimin e kandidatëve. Koha që ne duam për të marrë dhe dërguar fletën e votimit është 30-40 ditë vajtje-ardhje, kështu na është thënë nga operatorët, përfshirë dhe postën shqiptare. Duke marrë këtë të dhenë, paraqitem këtë shqetësim, ndoshta vlen që të paraqitet lista e kandidatëve. E kemi afatin shumë të shkurtër për kandidatët. Duhet të ndryshojnë afatet e regjistrimit të subjekteve ligjore. Duhet që të përfundojë 40 ditë para datës së zgjedhjeve. E kemi sjellë si shqetësim, e kemi gati. Ja kemi bërë këtë shkresë partive parlamentare,”- tha Celibashi.
Vota e diasporës do implementohet për herë të parë këto zgjedhjeve. "Vullneti" i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit do të kushtojë 250 milionë lekë. Qeveria ka vendosur t’i japë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 2.5 milionë euro shtesë vetëm për projektin e regjistrimit të zgjedhësve në diasporë. KQZ-ja dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë./ZËRI