Politikë

Zgjerimi i BE-së, ministri Hoxha: Shqipëria është gati të anëtarësohet dhe të kontribuojë

Duke iu referuar Shqipërisë ministri e cilësoi zgjerimin si një projekt strategjik që shkon përtej procesit teknik të anëtarësimit.

M.K.
Zgjerimi i BE-së, ministri Hoxha: Shqipëria është gati
Ferit Hoxha

TIRANË-  Reagon pas komunikimit të Komisioneres për zgjerimin Marta Kos, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxhalidhur me përgatitjet e Bashkimit Europian për zgjerimin me anëtarë të rinj.

Përmes një reagimi në platformën X Hoxha vlerësoi qasjen e Komisionit Europian dhe shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të vijuar procesin e reformave, ndërsa theksoi nevojën për një rrugëtim drejt anëtarësimit që të jetë ambicioz, por njëkohësisht realist.

“Shqipëria është gati. Jo vetëm për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, por edhe për të ndihmuar në formësimin e së ardhmes së tij”, tha Hoxha.

Ministri nënvizoi se procesi i zgjerimit nuk është një detyrim vetëm për vendet kandidate. Sipas tij, përgatitja duhet të jetë e ndërsjellë pasi edhe vetë Bashkimi Europian duhet të jetë gati për të mirëpritur anëtarët e rinj.

“Zgjerimi nuk ka të bëjë vetëm me gatishmërinë e vendeve kandidate për t’u anëtarësuar. Ai ka të bëjë po aq edhe me gatishmërinë e Bashkimit Evropian për t’i mirëpritur ato”, tha Hoxha.

Duke iu referuar Shqipërisë ministri e cilësoi zgjerimin si një projekt strategjik që shkon përtej procesit teknik të anëtarësimit. Sipas tij, integrimi europian lidhet me forcimin e demokracisë përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe rritjen e kontributit të Shqipërisë në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Europës.

Hoxha rikonfirmoi gjithashtu angazhimin e qeverisë për përmbushjen e reformave dhe mbështetjen për integrimin gradual përmes hapave konkretë që mund të sjellin rezultate të prekshme.

Në përfundim të reagimit të tij ministri e lidhi procesin e zgjerimit me objektivin për një Europë më të bashkuar dhe më të fuqishme në përballimin e sfidave të së ardhmes.

“Për një Evropë më të fortë në shtëpi. Një Evropë më të fortë në botë”, tha Hoxha.

 Komisioni Evropian ka miratuar një paketë mbi rishikimet e politikave para zgjerimit me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria./ZËRI

Poll

MOS HUMB