
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ka raportuar një rast intimidimi nga ana e Prokurorisë së Posaçme. Teksa fliste në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se një nënë me dy fëmijë është përballur me presion nga ana e prokurorëve të SPAK. Ai gjithashtu shtoi se për këtë ngjarje ka informuar dhe Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja.
“Intimidohen atje si persona në dijeni, pa ju dhënë as status vetëm e vetëm që të mos marrin avokatin. Se nuk dua të flas më tepër, kam informuar Ministrinë e Drejtësisë për një intimidim tjetër, një rast mjaft i rëndë i një nëne me dy fëmijë që i kërkohet të pranojë diçka që s’ka bërë. I thuhet ose prano këtë ose do e hash më keq, se sa ata që duhet t’i zhytësh brenda. Më fal, ku jemi këtu? Dhe e fundit fare, po kostot financiare të gjithë kësaj, a duhet t’i kemi parasysh apo jo? Çfarë po paguajnë shqiptarët për këtë përpjekje? Kur paguan një prokuror më shumë se Presidentin e Republikës, do të duhet të kërkosh standarde dreqi e mori,”- tha kreu i qeverisë./ZËRI