Politikë

LUFTË PËR ASGJË/ Kërkesat e palëve për Reformën Zgjedhore, çfarë po luhet 'pas perdes'

Për ekspertin Kristaq Kume dhe politologun Afrim Krasniqi, përtej zhurmës dhe përplasjeve, palët politike kanë pak gjasa që të bëjnë ndryshime të mëdha në Reformën Zgjedhore

Elsa Kallanxhiu
LUFTË PËR ASGJË/ Kërkesat e palëve për
Enkelejd Alibeaj, Oerd Bylykbashi, Damian Gjiknuri, Afrim Krasniqi dhe Kristaq Kume

TIRANË- Gjithëpërfshirje, gjithëpërfshirje, gjithëpërfshirje! Ky ka qenë togfjalëshi më i përmenduar i ditëve të fundit, teksa palët politike janë ‘zgjuar’ nga gjumi dhe kërkojnë që të riaktivizojnë Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, i cili nuk mblidhet prej afro dy vitesh, aq sa anëtare figuron ende moderatorja Grida Duma. Palët lëvizën pas një deklarate të bërë nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se Reforma mund të vijojë edhe pa opozitën, ndërkohë që menjëherë do të pasonte reagimi i Lulzim Bashës, i cili përmes disa deputetetëve që i kanë mbetur në grupin e tij parlamentar do të bënte edhe propozimet e tij për listat e hapura, votën e emigrantëve dhe ndryshimin e sistemit.

Por nëse dy të parat mund ti arrijë me një marrëveshje direkte me socialistët në pushtet, ndryshimi i sistemit bëhet vetëm përmes ndërhyrjes në Kushtetutë, dhe për këtë duhet më shumë se 90 vota, të cilat të dy bashkë nuk i kanë. ZËRI për ta bërë më të kuptueshme përplasjen, por edhe për të zgjidhur dilemën nëse palët kanë vërtetë vullnet për Reformën Zgjedhore, ka kërkuar mendimin e dy ekspertëve të fushës, Kristaq Kume dhe Afrim Krasniqi. Të dy ata janë në të njëjtën linjë kur thonë se Reforma pritet të pasohet nga pak ndryshime, dhe se lufta e brendshme e opozitës është një furtunë në gotë, pasi dallimet e dy grupimeve mund të sheshoheshin jashtë Komisionit për Zgjedhoren.

Nga sa kanë deklaruar publikisht, grupi i Lulzim Bashës kërkon që të vendoset sistemi propocional kombëtar me lista të hapura, grupimi i Berishës nuk është shprehur për sistemin, por kërkon zhbërjen e ndryshimieve kushtetuese të vitit 2020, që hoqën mundësinë e koalicioneve parazgjedhore, ndërkohë që Partia Socialiste ka qenë më hermetike lidhur me propozimet e saj, edhe pse pritet që të shprehet pro mbajtjes së sistemit aktual, që është propocional rajonal me 12 njësi.  

PSE KËRKOHET GJITHËPËRFSHIRJA

Për analistin Afrim Krasniqi, nga përvoja e deritanishme, Shqipëria ka mësuar se reformat e qëndrueshme, dhe që kanë prodhuar efekte në kohë janë qenë vetëm ato që janë ndërmarrë me miratimin e të gjtha palëve.

“Bazuar në përvojën e deritanishme në Shqipëri, të gjitha reformat e qëndrueshme kanë qenë konsensuale. OSBE dhe Venecia kërkojnë gjithëpërfshirje, që nuk nënkupton vetëm forcat politike, por dhe faktorët ndërkombëtarë dhe nga shoqëria civile. Parlamenti do marrë fjalën e fundit, por e ka të pamundur që të ndryshojë rregullat për përzgjedhjen e vetvetes, pa një konsensus. Edhe nëse do ketë konsensus, nuk besoj se do ketë ndryshime drastike në sistem”, thotë për Zërin politologu Afrim Krasniqi.

I të njëjtit mendim është edhe eksperti për çështjet zgjedhore Kristaq Kume, që në grupin e punës për Reformën do të duhet të jenë dhe përfaqësues nga shoqëria civile, por edhe faktori ndërkombhëtar.

“Reforma mund të bëhet nëse i kanë numrat, por duke iu referuar ndarjes së thellë, dhe duke qenë se reforma ka kryefjalë gjithëpërfshirjen, zgjidhje të pranueshme nga të gjitha krahët, ajo që mund të bëhet, nga PS dhe nga Basha, është që të gjendet një zgjidhje bipartizane”, u shpreh Kume.

SI MUND TË ZGJIDHET NGËRÇI NË KOMISION

Në 48 orët e fundit palët kanë ashpërsuar retorikën në komunikim, duke qenë se Alibeaj dhe Gjiknuri kanë thirrur mbledhjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore gjatë ditës së nesërme. Në këtë Komision opozita që përfaqësohet nga grupimi Berisha-Bardhi ka deklaruar se nuk do të jetë e pranishme, pasi sipas tyre afati i punës së këtij komisioni ka përfunduar që në Tetorin e kaluar. Zëvendësimi i bashkëkryetarit të këtij komisionit, nga Enkelejd Alibeaj te Oerd Bylykbashi, ka qenë një nga arsyet që opozita radikalizoi aksionin e saj në Kuvend.

Por pse është kaq i rëndësishëm posti i bashkëkryetarit?

Në rregulloren e këtij komisioni, bashkëkryetarët kanë të drejtën e vetos, që do të thotë se përfundimi duhet të jetë i dakordësuar domosdoshmërisht mes Gjiknurit dhe Alibeajt në këtë rast. Duke marrë parasysh përplasjet e brendshme të opozitës, demokratët e Berishës i tremben një marrëveshjeje mes Ramës dhe Bashës, duke i lënë ata jashtë loje.

Si mund të zgjidhej kjo

Për ekspertin Kristaq Kume, zgjidhjet duhen parë jashtë procesit bipartizan, sa kohë që pjesa më e madhe e opozitës përjashtohet në këtë mënyrë nga vendimmarrja. Ai propozon votimin me shumicë të cilësuar të vendimeve, dhe drejtimin e komisionit nga një prej kryetarëve të partive të vogla, që mund të ishte Fatmir Mediu.

“Ajo që duhet të kërkohet është të gjenden zgjidhje të tjera për të funksionuar realisht procesi bipartizan. Të ndryshojë rregulli që merren vendimet, bashkëkryetarët të mos kenë të drejtë vetoje, të merret me shumicë të cilësuar. Ata janë 18 anëtarë, vendimet të merren nga 11 anëtarë, kryesia të jetë ndryshe, të drejtohet nga kryetari i një prej partive të vogla. Një grup ekspertësh jashtë Kuvendit, të përgatisë gjithë draft amendimet e nevojshme që duhet bërë në legjislacionin zgjedhor.

Ndërkombëtarët kanë këmbëngulur në mënyrë të vazhdueshme që puna të jetë gjithpërfshirëse, që të japë kontribut edhe shoqëria civile. Në zgjedhjet e 2009 palët ranë dakord atëherë që procesi të bëhej si punë e përbashkët nga ekspertët dhe anëtarët e Komisionit parlamentar. Ky varant vjen i bazuar në eksperiencën e zgjedhjeve të kaluara. Deputetët disktojnë vetëm mbi materialet e ekspertëve, në këtë mënyrë shpëtojmë nga mosdakordësia e tyre”, shprehet Kume.

Ndërkohë që edhe analisti Afrim Krasniqi ka një propozim të ngjashëm, që të gjitha partitë parlamentare sipas tij duhet të kenë të drejtën e vetos në Komision, dhe në këtë mënyrë shmanget çdo vendimmarrje e një apo dy anshme.

“Dy palët e opozitës duhet të diskutojnë fillimisht me njëra tjetrën, palët duhet ta kishin zgjedhur para se të shkonin te Komisioni për Reformën. Opozita mund të kishte një qasje tjetër, unë personalisht jam që çdo parti parlamentare të kishte të drejtën e vetos në Komisionin për Reformën Zgjedhore”, shprehet Krasniqi.

A KA VULLNET REAL PËR NDRYSHIMIN E SISTEMIT

Për analistin Afrim Krasniqi nuk ka një sistem të mirë dhe një sistem të keq. Rezultati apo kontestimi vjen nga elementët e tjerë si janë mbajtur zgjedhjet, apo mënyra si financohen partitë politike. Sipas tij ka pak gjasa që në zgjedhjet e vitit të ardhshëm të kemi një ndryshim të sistemit.

“Për të ndryshuar sistemin mazhorancës i duhet ndryshimi i Kushtetutës, për të cilën kërkohen 92 vota, dhe nuk mjaftojnë aleancat fluide që mund të krijohen. Do të duhet një konsensus shumë i gjerë, në 2020 u ndryshua për shkak të opozitës fiktive. Do të shkohet në modifikime të vogla, dhe do të reflektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për herësin, për të pasur një formulë si do lexohen votat dhe si do përkthehen në mandate.

Në lidhje me sistemet, ato kanë qenë të kritikuara vazhdimisht nga OSBE, çdolloj sistemi po të ishte reskpektuar vota do të kishte funksionuar. Nuk e ka pasur fajin sistemi për abuzimin me votat. Sistemi më i qëndrueshëm ka qenë ai nga 92 deri në 2000, 100 mandate nga mazhoritari dhe 40 nga propocionali. Si rregull një sistem zgjedhor duhet të provohet në të paktën 3 palë zgjedhje”, tha Krasniqi për Zërin.

Ndërkohë që edhe zoti Kume, u shpreh se palët nuk kanë vullnet real për ndryshimin e sistemit, ndërsa vetë ai propozon një variant të propocional rajonal, që nuk kërkon detyrimisht ndërhyrje në ligjin themeltar. Për zotin Kume sistemi propocional kombëtar me lista të hapura që propozon PD e Lulzim Bashës, do të sillte që qytetarëve të rajoneve të vogla t’iu humbte e drejta e votës. Për shembull, një qytetar i Kukësit do të kishte gjithnjë e më të vështirë që të fuste në Kuvend një përfaqësues të tij, pasi në nivel kombëtar pesha e votës së tyre, duke u bazuar te numri i banorëve është shumë më e vogël se e një qytetari në Tiranë, apo Durrës.

Çfarë është sistemi propocional kombëtar me lista të hapura?

Partia del me një listë prej 140 kandidatësh, për të cilin votohet në të gjithë vendin. Kandidatët që marrin më shumë vota personale, janë edhe ata që marrin mandatin në Kuvend, në varësi të % që ka marrë partia në të gjithë vendin. Pra nëse Partia Socialiste siguron 50% të votave në rang vendi, ateherë 70 deputetët e saj që do të ulen në Kuvend, do të marrin mandatin në sajë të votave personale që ata kanë marrë.

Vetë Kume propozon sistemin propocional rajonal, që është aktualisht, por jo me 12 rajone, por me 4, në mënyrë që të rritet pesha e përfaqësimit.

“Që në sistem duhet ndërhyrë për ta bërë më funksionale demokracinë përfaqësuese, dhe për ti dhënë më shumë mundësi qytetarit që të përfaqësohet në Kuvend, kjo është e qartë. Të kërkosh sistemin propocional të pastër duhet të ndryshosh kushtetutën. Duke e bashkuar me kërkesën për lista të hapua, ajo që realizon në fund fare është jopropocioaliteti i qytetarit për të zgjedhur.

Qytetarët e Kukësit do të jenë të përfaqësuar shumë më pak se qytetarët e Tiranës. Pa qenë nevoja të ndërhyhet në Kushtetutë, sistemi të mbetet propocional rajonal, dhe në Kodin Zgjedhor të caktohet numri i njësive që të jenë 4. Në secilën nga këto, Jug, Veri, Tirana dhe rrethinat dhe Juglindja, në secilën prej tyre do të ketë nga 33 deputetë, Tirana do të ketë disa mandate më shumë, duke votuar me lista të hapura, ata zgjedhin atë që duan. Zgjidhet dhe problemi i përfaqësimit, dhe i vlerës, fuqisë që ka vota.

Me sistemin që propozon opozita mundësitë për të qenë në krye i kanë vetëm deputetët që garojnë në qytete të mëdha. Kryetarët e partive të vogla e bëjnë vetëm për interesa personale, pasi emrin e tyre e kanë në të gjithë vendin, dhe i garantojnë vetes mandatin në Kuvend”, u shpreh zoti Kume.

Sipas tij socialistëve në pushtet, iu intereson ky sistem që është aktualisht në fuqi, por mund të pranonin dhe variantin që ai propozon, pasi strukturat janë ngritur në sajë të ligjit të miratuar disa vote më parë për kohezionin social dhe rajonet. Me shifra konkrete, zoti Kume thotë se në zgjedhjet e vitit 2021, LSI në sajë të sistemit humbi të paktën 5 mandate.

“Ramës i intereson ky sistem që është, sepse 12 duke qenë shumë njësi, fuqia e votës për t’u rikthyer në mandat është shumë e vogël. Nëse votat e LSI do të përqëndroheshin në 4 rajone LSI do të merrte 9 mandate në zgjedhjet e vitit 2021. Rama ka shumë të ngjarë të pranojë edhe ndarjen në 4 rajone, në strukturat që ka ndërtuar deri sot, ai mund ti shfrytëzojë për strukturat elektorale (kohezioni social dhe rajonet). Në ndryshimet kushtetuese të vitit 2020, nuk u zëvendësua neni për rajonet, dhe në këtë mënyrë nuk ka pengesë për ndarjen në 4 njësi të mëdha. Ndarja në 4 rajone rregullon përfaqësimin dhe barazimin e votës, fuqia për tu rikthyer në mandate”, tha Kume.

VENDIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE PËR HERËSIN

Nëse për sistemin palët politike nuk mund të arrijnë dakordësinë, dhe të mbetet në fuqi ai aktal me pak ndryshime, pika e panegociueshme ligjërisht është ajo për mënyrën sesi votat do të përkthehen në mandate. Pas rrëzimit që Gjykata Kushtetuese i bëri herësit, mënyrës se si llogariteshin votat parapëlqyese, palët duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët në caktimin e një formule të re. Nëse kjo nuk ndodh, zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të futeshin në një paligjshmëri totale.

“Duhet reflektuar mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për herësin, nuk arrijnë që të ndajnë dot mandatet, se mund të thonë që do lëmë në fuqi sistemin që kemi. Unë humbësi do të them që nuk pranoj rezutatin, se nuk administron dot votën parapëlqyese. Vota parapëlqyese, numërohet vota për secilin dhe më pas bëhet ndarja”, tha Kume për Zërin.

VOTA E EMIGRANTËVE, PALËT 'MARRËVESHJE TË HESHTUR'?

Edhe pse vota e emigrantëve është një refren në çdo palë zgjedhje, sipas eksperit Kume palët politike kanë pak vullnet për ta realizuar, për shkak të frikës për t’u përballur me të panjohurën. Numri i emigrantëve që janë larguar jashtë vendit vetëm në 10 vitet e fundit llogaritet rreth 1 milionë, por sesa prej tyre kanë interes të angazhohen në procesin zgjedhor në Shqipëri, kjo mbetet të shihet.

Politologu Afrim Krasniqi kërkoi që në rast se vota e diasporës realizohet, pesha e saj të jetë e njëjtë me shqiptarët që jetojnë brenda vendit.

“Parlamenti është në kohë për ndryshimet për votën e diasporës, është shumë e thjeshtë se pse nuk ka vullnet nga të dyja palër, shqiptarët që janë jashtë vendit nuk mund të përdoren as nga mazhoranca përmes sistemit të patronazhistëve, dhe as nga opozita që ka një kauzë të tjetër, që është ruajtja e liderve që kanë dosje. E drejta e votës duhet të ushtrohet atje ku është dhe të jetë në propocionalitet me madhësinë e votës që ata kanë, jo të kalohet me eksperimente si Maqedonia, që ata kategorizohen si një zonë më vete, dhe iu jepen 2 apo 3 mandate. Është e rëndësishme që tju japim të drejtën, njësoj siç iu marrim paratë. Duhet depolitizuar menaxhimi i votës në mënyrë që kjo të ndodhë. Unë e gjykoj më të rëndësishme mënyrën dhe ligjin e financimit të partive politike, në fushatat elektorale”, u shpreh Krasniqi.

Eksperti Kume vijoi më tej, teksa tha se në rast se vota e diasporës do të realizohet, do të duhet të bëhen ndryshime në ligjin për adresarin. Kjo për shkak se shumë pak prej emigrantëve e kanë deklaruar adresën në Shqipëri, dhe kjo do të bënte që shumë prej tyre të mos ushtronin të drejtën e votës. Kume tha se ka pas gjasa që KQZ të mund të ndërtojë paketën ligjore, dhe infrastrukturën, sa kohë që palët politike nuk kanë vullnet për t’i miratuar.

“Kuvendi duhet të ishte shprehur që në Janar që të plotësonte boshllëqet për ta bërë objektiv votimin nga jashtë vendit. Nëse kuvendi nuk vepron për mua nuk jemi në kushtet e paligjshmërisë së zgjedhjeve, pasi ata kanë të drejtë të vijnë dhe të votojnë në Shqipëri, por juo atje ku punojnë dhe jetojnë. Kështu siç është KQZ mund të ndërtojë gjithë udhëzimet për të bërë të mundur zgjedhjet e emigrantëve, Celibashi maksimumi që mund të bëjë është të ndërtojë kuadrin, nëse bie dakord e bën politika në Kuvend. Nuk e duan votën e emigrantëve, ndaj e shtyjnë afat e pa afat. Jemi ndoshta i vetmi vend në botë që nuk kemi garantuar votën e emigratëve. Vota e emigrantëve do të kërkonte ndryshim në Kushtetutë, dhe procesi i administrimit do të ishte shumë i vështirë”, u shpreh Kume.

Në shpjegimin për Zërin ai tha se një prej modeleve që mund të ndiqet është ai i Kosovës, dhe se votimi nga jashtë vendit të bëhet vetëm me postë, për të shmangur çdo kontestim të palëve për votimin elektronik, siç ndodhi në zgjedhjet lokale, ku në Elbasan dhe Kamëz u aplikua sistemi pilot i votimit elektronik.  

“Vota të bëhej vetëm përmes postës, dhe zgjedhësi të votojë atje ku ka emrin në listë në Shqipëri. Nëse duam të kemi vërtetë votim jashtë vendit të mos kufizohet nga adresa. Mund ta zgjidhësh si Kosova, ti vë në dijeni KQZ, dhe regjsitrohesh si person që do të votosh nga jashtë vendit”, u shpreh Kume, ndërsa u ndal dhe te rekomandimet e Komisionit të Venecias, për fuqinë e votës së emigrantëve.

Ndryshe nga zoti Krasniqi që propozon që pesha e votës të jetë e njëjtë, zoti Kume tha se ajo mund të kufizohet në rastin kur numri i shqiptarëve që shprehin interes për të votuar është shumë i lartë. Edhe në këtë pikë padyshim që do të kërkohej vullneti politik për ta miratuar.

“Lind një problem tjetër, fuqia që do të ketë vota e emigrantëve, nuk është normale që fuqia e votës së emigrantëve të jetë i njëjtë me ata që janë në Shqipëri. Nëse ndodhemi përballë këtij rasti, kur 1 milionë shqiptarë nga jashtë vendit do të duan të votojnë, mund të merret vendim për peshën e votës. Nëse hiqet kushti i adresës së regjistruar në Shqipëri, në të tilla raste komisioni i Venecias flet për peshën e votes, por edhe kjo do të kërkonte vullnet politik", u shpreh eksperti. 

Zoti Kume nuk e përjashton skenarin që Reforma Zgjedhore të votohet përmes një marrëveshje të ngushtë Rama-Basha. E çfarë do të ndodhte nëse ky skenar do të realizohej?

“Ne do të vemi të votojmë ndërsa politika do të vijojë diskursin politik. E gjitha kjo është dëshpëruese, a duam ne të zhvillohemi si një shoqëri demokratike? Ata janë duke ushtuar zanatin, si çdo zanatçi që punon për interesin e vetë”, përfundoi zoti Kume.

Zanatçinj siç thotë zoti Kume, apo politikanë që i shërbejnë qytetarëve siç pretendojnë vetë ata, deputetët e Komisionit për Reformën Zgjedhore, nëse vërtetë duan të ndryshojnë diçka do të duhet të nxitojnë, pasi Reforma do të duhet të përmbyllet brenda këtij viti. Deri tani diskursi veçanërisht në radhët e opozitës, nuk premton për një Reformë Zgjedhore gjithëpërfshirëse, por nëse grupimi i Bashës kërkon vërtetë ndryshimin e sistemit, do të duhet të gjejë gjuhën me të ngjashmit e vetë në opozitë, pasi nuk i kanë numrat për ndryshimet Kushtetuese. Precedenti i 2020 me ndryshimet Kushtetuese të Korrikut, me opozitën parlamentare të Rudina Hajdarit dhe Myslym Murrizit duket i vështirë që të përsëritet, të paktën matematikisht, sa kohë që grupimi Berisha-Bardhi kanë treguar unitet në aksionin parlamentar. Gjithmonë nëse nuk kemi ndonjë lojtar të 12-të në fushë siç është faktori ndërkombëtar…/ZËRI

Poll

MOS HUMB