
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh sot se 'i vjen keq' për liderin historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha për faktin se ai sot ndodhet në arrest shtëpie me urdhër të Gjykatës së Posaçme. Në një "podcast" "Klo’s Friends" nga Klotilda Harka nga "Albanian YouTubers", Basha tha se Berisha duhet të kishte dëgjuar këshillat e tij, pasi do ishte në një situatë më të mirë sot.
Por në fund e mbylli me deklaratën se Berisha e ka mbyllur ciklin në politikë dhe tani nuk është e keqja më e madhe që i ka ndodhur vendit tonë.
E kishit menduar ta shihnit Sali Berishën që të fliste nga ballkoni i tij?
Basha: Nuk e kisha menduar, nuk më vjen mirë. E kanë këshilluar gabim. Jo vetëm në këtë rast. E kanë këshilluar gabim që prej majit të 2021, po të kishte dëgjuar këshillat që i dhashë unë do të ishte më mirë për të, për PD, për familjen e tij dhe për Shqipërinë. E këshillova që të mos e bënte çështjen e tij, çështje të Partisë Demokratike. Të lejonte PD të eccte në trajktoren e saj, do të ishte më mirë edhe për interesat e tij. Ai ka pasur një jetë politike të gjatë dhe intensive, ka pasur pikat e larta, ndodhet në pikat e ulëta. Nuk e them me kënaqësi por vendi duhet të ecë përpara. Në këto rrugë që na presin, Berisha nuk është zgjidhje. Nuk është ai problemi i këtij vendi, por ai tjetri (Rama)./ZËRI