Politikë

Akuzat e Ilir Metës ndaj Dumanit, KLP "merr në mbrojtje" kreun e SPAK: Vijo hetimet pa u ndikuar

Duke e cilësuar Metën si "subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë", KLP ka edhe një mesazh publik për Dumanin. 

k.m.
Akuzat e Ilir Metës ndaj Dumanit, KLP "merr në mbrojtje"
Foto ilustruese

TIRANË- Pas akuzave të shumta që kreu i Partisë së Lirisë, dhe ish-presidenti Ilir Meta ka bërë në drejtim të drejtuesit të SPAK, Nuredin Dumanit, ka ardhur reagimi i parë në mbrojtje të tij. Në një reagim për media, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka bërë me dije se ka ndjekur të gjitha reagimet publike të Metës lidhur me punën e Dumanit në krye të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Madje theksojnë se deklaratat e bëra i kanë ndjekur me shqetësim, duke shtuar se e dënojnë gjuhën e urrejtjes dhe intimidimin që po i bëhet kreut të SPAK. Duke e cilësuar Metën si "subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë", KLP ka edhe një mesazh publik për Dumanin. 

"Këshilli mbështet pa rezerva veprimtarinë ligjore të çdo prokurori të sistemit të prokurorisë, duke i inkurajuar ata të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë dhe pavarësi të plotë funksionin e tyre për ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës ndaj kujtdo, në emër të shtetit shqiptar, të pa ndikuar nga askush,"-shkruhet ndër të tjera në reagimin e tyre zytar.

Reagim i Këshillit të Lartë të Prokurorisë:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë si organ qeverisës e kushtetues i sistemit të akuzës, ndjek me vëmendje çdo reagim publik lidhur me punën e institucionit të prokurorisë dhe në veçanti të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në këtë kuadër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me shqetësim ditët e fundit, deklaratat e subjekteve të veçanta në mediat audio vizive dhe ato elektronike, lidhur me prokurorët e Prokurorisë së Posaçme pranë (SPAK) dhe kreut të saj. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.

Çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë, ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë. Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta. Në të njëjtën kohë Këshilli mbështet pa rezerva veprimtarinë ligjore të çdo prokurori të sistemit të prokurorisë, duke i inkurajuar ata të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë dhe pavarësi të plotë funksionin e tyre për ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës ndaj kujtdo, në emër të shtetit shqiptar, të pa ndikuar nga askush.

Si po zhvillohet përplasja Meta-Dumani?

Ditët e fundit, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta është përfshirë në një valë përplasjeje me akuza me Kreun e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani. I ftuar në “Opinion” dhe në deklarata të vazhdueshme, Meta e ka akuzuar Dumanin se është i kapur nga kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj. SPAK-un, Meta e ka konsideruar organizatë politike që merret me kryedemokratin Sali Berisha për të shkatërruar opozitën dhe me Ilir Metën për llogari të krimit të organizuar. Po ashtu, Meta e ka akuzuar Dumanin se ka zhvilluar dhe takime me Charles McGonigal. Për këtë akuzë, kreu i SPAK u përgjigj përmes një interviste për CNA, ku deklaroi se nuk e njeh fare McGonigal dhe se nuk e ka takuar kurrë. Por, pavarësisht përgjigjes, Meta vijoi edhe sot akuzat ndaj kreut të SPAK, duke e cilësuar dhe si kushëri të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani. Sipas Metës, Dumani i ka dërguar patronazhistë që të largohej nga vendi, njësoj siç bëri Arben Ahmetaj. Ai madje shtoi se Altin Dumani ka shpresa që të bëhet kryeministër. Por përveç çështjes McGonigal, Dumani nuk ka komentuar asnjë akuzë tjetër të ngritur ndaj tij nga ana e Metës./ZËRI

Poll

MOS HUMB