
TIRANË- Disa ditë pasi kanë paralajmëruar përshkallëzimin e aksionit opozitar, deputetët e Partisë Demokratike, janë sot në ‘fushë’, për të kuptuar se cili do të jetë qëndrimi që ata do të mbajnë me Kuvendin, pas arrestimit të kolegut të tyre Ervin Salianji.
Në rendin e ditës së sotme në Kuvend, janë një sërë mbledhjesh të komisioneve parlamentare, të cilat pritet që të bojkotohen nga deputetët e opozitës, pasi Gazment Bardhi ka deklaruar disa ditë më parë, se nuk do të ketë më marrëdhënie institucionale me mazhorancën.
Qëndrimi i opozitës pritet që të bëhet publik nga deputetët Jorida Tabaku dhe Edi Paloka, në komisionin për çështjet europiane dhe integrimin. Ndërkohë që mbetet i paqartë ende qëndrimi që do të mbajë PD lidhur me seancat plenare, ku e para në radhë do të jetë ajo e pasdites së sotme, e thirrur nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali.
Në seancën e sotme, Spiropali pritet të shpallë dhe vakancën për vendin e Ervin Salianjit, ku më pas KQZ do të nisë procedurat për zëvendësimin e tij, nga një prej emrave që janë renditur në listën jofituese në qarkun e Korçës.
Në tryezën e opsioneve të deputetëve demokratë janë disa variante që mund të aplikohen, duke nisur që nga ngujimi afatgjatë i ligjvënësve, te protestat brenda sallës së Kuvendit me synim paralizimin e funksionimit normal.
Në vazhdën e reagimit për arrestimin e Salianjit, opozita ka thirrur dhe një protestë kombëtare në Tiranë, ndërkohë që kërkesa kryesore e tyre mbetet ajo për qeverinë teknike. Në rrethana të paqarta, protesta u shty me një ditë nga data 6 në datën 7 Tetor.
“7 tetor në ora 6, Tirana e tëra derdhet në rrugët dhe sheshet e saj.
Më 7 tetor, Tirana është e qytetarëve, vrima e miut të qeveritarëve, vrima e miut të mafies, vrima e miut e hajdutëve.
Ndaj dhe le të shndërrojmë ne 7 tetorin në ditën e triumfit, të guximit, të trimërisë, të revoltës, të mosbindjes civile, të fitores së shqiptarëve.
Të dashur miq, çdo shqiptar, çdo shqiptare, ka vetëm një kërkesë ndaj nesh, ka vetëm një dëshirë ndaj nesh, ka vetëm një shpresë ndaj nesh, të na shohë në sulm, të gatshëm për sakrifica, të vendosur për fitore.
Ndaj dhe me 7 tetor, me të gjitha mjetet e mosbindjes civile, në Tiranë, në rrugë, në sheshet e saj.
Rroftë Tirana, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!”, ishte thirrja e bërë dje nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet ende nën masën e arrestit të shtëpisë. /ZËRI