Politikë

"7 tetori"/ Këshilli Kombëtar i PD shtyn protestën e opozitës/ Berisha paralajmëron mosbindje civile. Noka: Jemi në luftë!

Tubimi do të nisë në orën 18.00 dhe nuk ka një orar se kur do të mbyllet.

k.m.
"7 tetori"/ Këshilli Kombëtar i PD shtyn protestën e
Sali Berisha

TIRANË- Data 7 tetor shënon ditën e protestës që ka organizuar Partia Demokratike. Në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike u mor vendimi që protesta e paralajmëruar më herët për në datën 6 tetor, të shtyhet një ditë më vonë. Tubimi do të nisë në orën 18.00 dhe nuk ka një orar se kur do të mbyllet. Në takimin e sotëm, edhe pse nga ‘arresti shtëpiak’, mori pjesë edhe kryedemokrati Sali Berisha, i cili foli për arrestimin e deputetit Ervin Salianji.

"Miqtë e mi, duhet të jemi të vetëdijshëm se sot çdo qëndrim me duarkryq, çdo qëndrim në mbrojtje, është lojë për Edi Ramën. Është fitore për Edi Ramën. Ndaj dhe ne do kalojmë në sulm. Edi Rama ka instrumente për të na burgosur, ka instrumente për të mashtruar, por ne kemi instrumente që me guximin tonë, me revoltën tonë, e paralizojmë anekënd vend këtë narkoqeveri kriminale, armike e egër e lirive, e të drejtave, e dinjitetit, e qenies së shqiptarëve. Dhe sot është koha që të përdorim të gjitha këto instrumente. Të hidhemi në sulm me të gjitha mjetet e mosbindjes civile. Në një betejë të pandalshme, PD përqendron të gjithë potencialet e saj, në sulmin ndaj narkokraturës dhe për qeveri teknike. Mosbindja civile është një univers masash të përshkruara me hollësi në manualet e mosbindjes civile. Do të përdoren të gjitha ato masa gjer në realizimin e qëllimit të plotë, krijimin e qeverisë teknike...,"-tha Berisha ndër të tjera në fjalën e tij. 

Gjithashtu, kreu i demokratëve paralajmëroi se në protestë do të bllokohen të gjitha rrugët e kryeqytetit, duke nisur nga Kryeministria.

Më shumë detaje për demokratët dha kreu i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka. Në fjalën e tij, Paloka la të kuptohet se opozita ka menduar planin, por detaje të tjera do t'i bëjnë me dije më vonë për demokratët.

"Ishte menduar të dielën në datë 6. Bllokimi akseve në gjithë Shqipërinë. U vendos që data e nisjes së aksionit opozitar të jetë 7 Tetori. Do nisim te Kryeministria; simbolika e protestës. Pastaj do lëvizim në të gjithë Tiranën. Detajet do t'i keni në momentin e duhur. Protesta jo siç i kemi bërë deri tani. Fjalime nuk do të ketë,"-shtoi Paloka.

Ndërkohë që më pas, në mbledhjen me dyer të mbyllura të Këshillit Kombëtar të PD, fjalën e mori sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, i cili i kërkoi të gjithë anëtarëve që të angazhohen me disiplinë për protestën. Noka ka kërkuar që të gjithë demokratët të  zbresin në terren dhe të jenë “gati për luftë”.

"Ideja e parë ka qenë bllokim aksesh ndaj ishte data 6 si fillim. Të gjithë kryetarët e degëve të angazhohen për pjesëmarrje. Takohuni me anëtarët. Harroni komunikimet me grupet ëhatsupp. Ne jemi në luftë. Nuk kemi luksin të njoftohemi dhe të angazhohemi përmes kësaj mënyre. Nuk është serioze. Të respektojmë këdo që do të ftojmë në protestë. T'i takojmë. Degët e Tiranës duhet të jenë në terren çdo ditë. Jemi në luftë, t'i përgjigjemi me disiplinë të hekurt. Nuk ka kthim pas. Të mos e mendojë kush. O fitore, o vetëm fitore,"-tha Noka në fjalën e tij.

Më 7 tetor, Opozita ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste kombëtare. Përpos protestës pritet të diskutohet edhe qëndrimi i opozitës në Kuvend. Kreu i Grupit Parlamentar Gazment Bardhi njoftoi se PD do të ndërpresë marrëdhëniet institucionale me shumicën në Kuvendin e Shqipërisë. Opozita e ka cilësuar vendim politik dënimin ndaj Salianjit, i cili tashmë ndodhet në burgun e Fierit, ku pritet të vuajë dënimin e caktuar nga Gjykata e Apelit.

Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji mbërriti në burgun e Fierit mbrëmjen e 27 shtatorit, aty ku do të kryejë dënimin e konfirmuar nga Apeli me 1 vit heqje lirie për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’.

Gjykata e Apelit la më 26 shtator në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i Gjykatës së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike./ZËRI

Poll

MOS HUMB