
TIRANË-Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka folur për heqjen nga agjenda e Amnistisë Penale në seancën e sotme në Kuvend. I ftuar në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në MCN TV Bardhi i ka kthyer përgjigje dhe Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, që sipas tij ka gënjyer.
Manja u shpreh para mediave se në këtë projektligj të amnistisë nuk përfiton asnjë person, i cili është dënuar për korrupsion nga GJKKO-ja.
“Referuar rregullores së Kuvendit, drafti nuk kthehet pas në Komisionin e ligjeve. Fakti që ne e tërhoqëm nga rendi i ditës, do të thotë se konsensusi sipas traditës do të gjendet në këtë sallë. Gjatë këtyre dy ditëve kam dëgjuar plot avokatë dhe juristë sharlatanë, që rrinë me draftin e tyre në xhep, secili për të mashtruar qytetarët dhe familjarët që presin për të afërmit e tyre. E kemi bërë të qartë nuk ka amnisti për korrupsionin dhe krimi të organizuar dhe draftin e kemi bërë të qartë në dritën e diellit. Nuk kërkojmë votat e njërit apo tjetrit, as të Bashës as të askujt tjetër, por kërkojmë votat e deputetëve të majtë dhe të djathtë siç e kërkon tradita, është në nderin e çdo deputeti pasi të lexojë ligjin dhe të japë votën. Nuk duam amnisti me vota të kondicionuara”, tha Manja.
Bardhi tha se PS u tërhoq pasi nuk arriti dot pazarin, bazuar në deklaratat e ministri të Drejtësisë, Ulsi Manja.
"Manja e ka nga eksperienca, që po gënjeve një herë dy herë dhe tre herë, kthehet në karakteriale. Me sa duket ministri Manja e ka karakteriale. E kuptoj sikletin ku ndodhet. Ka marrë përsipër një propozim të Ramës dhe përfiton nga fakti që njerëzit nuk i hyjnë në detaje ligjit të amnistisë. Drafti ka patur atë që ka qenë gjithmonë në amnistitë penale, që zyrtarët dhe subjektet pjesë e hetimeve dhe gjykimeve nga SPAK dhe GJKO, nuk përfitojnë amnisti. U keqpërdor një amendament i një kolegu ynë, për 24 orë ngatërruan dynjajë duke e shitur si amendament të opozitës. Kur gënjeshtra i doli sheshit, tani na akuzkojnë se gënjyem ne. Dy ndalesat e draftit fillestar janë hequr. Nuk ka asnjë arsye të gënjejmë për këtë. Kemi thënë se në parim e mbështesim amnistinë, nëse Kuvendi do të funksiononte në një normalitet, do ta votonim. Sot kam dëgjuar një shpjegim të zotit Basha pse nuk do ta votojë amnistinë dhe qëndrimi i tij mu duk korrekt. Edhe zoti Basha ka mbajtur qëndrimin që nuk duhen aministuar zyrtarët e korruptuar"-tha Bardhi.
/ZËRI