
TIRANË- Sali Berisha e ka mbështetur qëndrimin e mbajtur nga Gazment Bardhi, sa i takon normalizimit të jetës parlamentare, pas pranimit të disa prej kërkesave të opozitës. Në mbledhjen e grupit parlamentar që u mbajt me dyer të mbyllura, disa deputetë janë shprehur skeptikë në lidhje me negociatat e Bardhit me përfaqësuesit e Partisë Socialiste.
Debatet kanë nisur mes Tritan Shehut dhe Bledion Nallbatit, ku nuk kanë munguar as tonet e larta. Shkak për këtë është bërë kërkesa e Shehut, që aksioni në Kuvend të mos ndalej, ndërsa Nallbati kishte bërë ironi, me kolegun, që sipas tij nuk kishte qenë në ballë të kësaj revolte.
DEBATET:
Gazmend Bardhi: Sic jeni njohur nga media, ditën e Premte kam pasur nje ftesë nga Lindita Nikolla për tu takuar në mënyrë informale me kryetarët e grupeve për t’i dhënë zgjidhje krizës parlamentare, pasi jam konsultuar me kryetarin e partisë Berisha dhe me nënkryetaret e tjerë vendosëm të marrim pjesë…
Salianji: Vendimi për bisedimet ose “negociatat” në këto kushte është dëmtues për Partinë Demokratike dhe për opozitën! Këtë që po marrim sot, uljen në konferencën e kryetarëve ne e kishim dhe ju e propozuat që ta refuzojme dhe mos ulemi. Perceptimi që do krijohet është që krijuam sherr për 5 muaj që të ulemi me Ramën, ne nuk mund të bëjmë sherr për t’u ulur me Ramën!
Pas aksionit tonë bllokues Partia Socialiste ka ndryshuar ligjin për komisionet hetimore dhe rregulloren e Kuvendit, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë shenjë tërheqje as në deklaratat publike të Ramës!
Rikthimi sot në konferencën e kryetarëve është praktikisht rikthim në normalitet dhe ne në normalitet nuk kthehemi se jemi ulur me Ramën por nëse e vendosim vetë. Nëse ju thoni që aksioni ka pasur sukses marrim vendim si grup parlamentar dhe rikthehemi por që të hyjmë në normalitet se u ulëm me Ramën do krijojmë perceptim dëmtues për opozitën dhe do jemi joseriozë siç ka ndodhur shpesh në këtë parti e këtë seli që radikalizohemi që të marrim vëmendjen e Ramës ndërkohë që vëmendjen dhe besimin duhet ta marrim tek qytetarët! Ky akt i sotëm na bën dhe më pak të besueshëm!
Të pakten të marrim vendim tani për t’u rikthyer vetë në normalitet jo si shkëmbim se Rama u ul? Çfarë u ul Rama? A jemi ne qe nuk marrim pjesë me vullnet në konferencë kryetarësh? A është qeveria në të njëjtin pozicion që thotë riformuloni kërkesat tuaja?
Flamur Noka: Ne sot jemi pranuar si palë dhe si realitet politik sic e tha ambasadori i BE! Aksioni ynë pati sukses sepse ju imponuam qeverisë dhe tani do merremi me terrenin. Ata pranuan që ne jemi PD, pranuan kryetarin e grupit tonë.
Salianji: Kam dy pyetje se s’bëj dot me sikur, ore nëse e quani aksionin e deritanishëm të suksesshem pse nuk e vazhdojmë? Se dhe i suksesshëm dhe e lëmë sikur nuk shkon! Së dyti si qenka sukses dhe tërheqje që ne po ulemi aty ku kemi refuzuar vetë të ulemi prej 5 muajsh? Tek konferenca e kryetarëve. Së treti, si e njohën tani realitetin? Se kryetar grupi parlamentar dhe i ftuar përherë në konferencë të kryetareve ka qënë Gazi.
Jam i mendimit që po ndërmarrim lëvizje të gabuar dhe imagjino nëse do dështojë bisedimi i sotëm apo plotesimi i kërkesave, si do themi pastaj që bëmë pak gabim se Rama ta hedh për të 100 herë?
***
Ndërkohë deputeti Luan Baçi ka pyetur nëse ish-kryeministri Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie prej më shumë se dy muajsh, është apo jo në dijeni të negociatave dhe atyre që ka kërkuar Rithemelimi.
Përgjigja e Bardhit ka qenë “jam konsultuar me ish-kryeministrin Berisha dhe ai është në dijeni të gjithçkaje”.
Në Konferencën e Kryetarëve u ra dakord parimisht për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare, për sterilizimin, dhe për rrjedhjen e të dhënave të qytetarëve.
Po ashtu në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve është rënë dakord për ngritjen e një nënkomisioni për Reformat, që do të përbëhet nga 4 anëtarë, dy nga secila palë.Konferenca e Kryetarëve ka arritur gjithashtu dakortësinë në parim për një tjetër çështje që shkaktoi bllokimin e veprimtarisë normale të Kuvendit, që ishte përfaqësimi me ato që opozita cakton vetë në proceset e Reformave. Nënkomisioni është përgjegjës për diskutimin/shqyrtimin e paketave ligjore, reformave dhe ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar apo ligjeve që kërkojnë gjithëpërfshirje, përfshirë ligjet që janë të nevojshme për procesin e integrimit europian.
Në këtë mënyrë nxirret jashtë loje dhe Komisioni për Reformën Zgjedhore, mandati i të cilit përfundon në fund të këtij muaji. Kryeministri Edi Rama paralajmëroi pak ditë më parë nga Shkodra, se afati i tij nuk do të shtyhet. Në një konferencë për mediat, pas konferencës së kryetarëve, Gazment Bardhi u shpreh se një prej anëtarëve të këtij nënkomisioni do të jetë Oerd Bylykbashi, ndërsa tjetri do të zgjidhet nga grupi parlamentar. Bardhi e përjashtoi veten e tij nga ky rol. Të katër anëtarët, që do të zgjidhen nga dy për secilën palë, do të kenë të drejtën e vetos për Reformat. /ZËRI