
TIRANË- Në takimin që është duke u mbajtur në parkun Olimpik, Lulzim Basha është duke prezantuar programin elektoral të Partisë Demokratike zyrtare për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Teksa Basha po shpaloste programin, një incident ndodhi në sallë, për shkak se u ndërpre energjia elektrike.
Pasi rimori fjalën e tij, përpara të pranishmëve, Basha tha se energjia elektrike ishte ndërprerë, pasi pushteti ka frikë nga fjala e lirë, dhe nga programi i PD-së.
"Njësoj si para 34 vitesh, kanë frikë nga PD, kanë frikë nga ne! Na hoqën dritat", u shpreh Basha.
Lidhur me rastin, PD zyrtare lëshoi edhe një deklaratë për mediat. Ata shprehen se kjo është hera e parë që ndërpritet energjia elektrike në një Kuvend Programor në një kohë që prej kohësh nuk ka pasur probleme me energjinë në Shqipëri.
“Ky është një rast i paprecedent i pushtetit, i cili, ndërkohë që investohet për të mbajtur në lojë ata që dëmtojnë opozitën, kanë frikë nga PD dhe nga Basha, për shkak të pastërtisë dhe alternativës së tyre qeverisëse. Është hera e parë që ndërpritet energjia elektrike në një Kuvend Programor në një kohë që prej kohësh nuk ka pasur probleme me energjinë në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e PD.
/ZËRI