DURRËS- Dy gjyqtarë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Durrës kanë hequr dorë nga gjykimi i kërkësë së Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, i cili kërkon leje për të dalë nga burgu në mënyrë që të bëjë betimin.
Kërkesa e Fredi Belerit duket se ka trazuar “ujërat” në Gjykatën e Durrësit. Fillimisht ka hequr dorë gjyqtari Rexhep Bekteshi, të cilit i kishte rënë shorti për ta gjykuar kërkesën. Më pas shorti i ra gjyqtares Besiana Garxenaj. Dhe kjo e fundit u tërhoq.
Ndërkohë gjykimi i kërkesësë ë Fredi Belerit është në dorën e gjyqtares Entela Shedola. Seanca është parashikuar të mbahet mesditën e datës 10 tetor.
Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka thënë se ato kanë një sfond politik. Kërkesat e tij të herëpashershme për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit deri tashmë.
Arrestimi i tij ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Kjo e fundit ka kërkuar lirimin e tij, me pretendimin se janë shkelur të drejtat e njeriut dhe ato të të pakicave, si dhe duke kërcënuar me bllokimin e rrugëtimit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin europian. Zyrtarët grekë po e ngrenë këtë çështje në instanca të ndryshme ndërkombëtare. Ndërsa qeveria shqiptare pretendon se çështja nuk është politike, por është e gjitha e drejtësisë./Zëri.ai