
TIRANË- Muaji Prill pritet që të shoqërohet me axhendë të ngjeshur politike, pas ngritjes së dy komisioneve hetimore parlamentare, me kërkesë të opozitës, që çoi dhe në normalizimin e situatës në Kuvend, dhe dhënies fund të skenarit të bllokimit të seancave.
Komisioni hetimor për shërbimin publik të sterilizimit dhe shërbimit publik të check-up në shëndetësi, që do të drejtohet nga deputetja Albana Vokshi, nisi nga puna javën e kaluar, ndërkohë që në listën e dëshmitarëve që do të thirren për të pyetur janë dhe kryeministri Edi Rama, dhe ish-ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Që në mbledhjen e parë, punimet e Komisionit u shoqëruan me debate të forta nga të pranishmit, ndërkohë që paralelisht sterilizimi është hetuar dhe nga Prokuroria e Posaçme, e cila ka dërguar për gjykim 10 persona, mes tyre dhe ish-ministrin e shëndetësisë Ilir Beqaj.
Anëtarët e Komisionit Hetimor në Shëndetësi:
1- Albana Vokshi Kryetar PD
2- Plarent Ndreca Nënkryetar PS
3- Klodiana Spahiu Anëtar PS
4- Milva Ekonomi Anëtar PS
5- Ilirjan Pendavinji Anëtar PS
6- Ilir Metaj Anëtar PS
7- Edona Bilali Anëtar PS
8- Petro Koçi Anëtar PS
9-Klevis Xhoxhi Anëtar PS
10- Zheni Gjergji Anëtar PD
11- Ina Zhupa Anëtar PD
12- Edmond Spaho Anëtar PD
13- Saimir Korreshi Anëtar PD
14- Xhelal Mziu Anëtar PD
15- Petrit Vasili Anëtar PD
Anëtarët Zëvendësues
1- Lavdrim Krashi Anëtar zëvendësues PS
2- Mirela Pitushi Anëtar zëvendësues PS
3- Emilia Koliqi Anëtar zëvendësues PD
4- Ilda Dhori Anëtar zëvendësues PD
Ndërkohë që Komisioni Hetimor i dytë që është miratuar me kërkesë të opozitës, është ai për të dhënat e TIMS, që sipas PD janë bërë publike, duke cënuar edhe sigurinë kombëtare. Ky komision do të drejtohet nga Ervin Salianji, ndërsa nënkryetar është Toni Gogu nga radhët e Partisë Socialiste. Mbledhja e parë e këtij komisioni do të bëhet nesëër (2 Prill), ku në rendin e ditës është prezantimi i anëtarëve të tij, si dhe përcaktimi i detyrave për secilin.
Anëtarët e Komisionit Hetimor për rrjedhjen e të dhënave në sistemin TIMS
1-Ervin Salianji – kryetar
2-Toni Gogu-Nënkryetar PS
3-Nasip Naço – Anëtar PS
4-Blerina Gjylameti – Anëtar PS
5-Etilda Gjonaj – Anëtar PS
6- Xhemal Qefalia – Anëtar PS
7- Antoneta Dhima – Anëtar PS
8- Bardhyl Kollçaku – Anëtar PS
9- Denis Deliu – Anëtar PS
10- Lindita Metaliaj – Anëtar PD
11- Lefter Gështenja – Anëtar PD
12- Asllan Dogjani – Anëtar PD
13- Ramadan Lika – Anëtar PD
14- Luan Baci – Anëtar PD
15- Elda Hoti – Anëtar PD
Anëtarët Zëvendësues
1- Bledion Nallbati- anëtar zëvendësues PD
2- Isuf Çela – anëtar zëvendësues PD
3- Eduart Nreca Anëtar zëvendësues PS
4- Laer Duraj Anëtar zëvendësues PS
Por përveç dy komisioneve hetimore që pranuan me kërkesë të opozitës, edhe vetë socialistët nuk kanë qëndruar duarkryq. Pak ditë më parë kreu i grupit parlametar të PS-së Bledi Çuçi, ka paraqitur një kërkesë ndaj kryeparlamentares Lindita Nikolla, për ngritjen e një Komisoni të Posaçëm, për hetimin e ndërhyrjeve të huaja në Shqipëri.
Fokusi, thekson Çuçi do të jetë “koordinimi dhe mbikëqyrja e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri”.
Kjo, sipas tij “mund të përfshijnë fushatat e dezinformimit në mediat tradicionale dhe sociale për të ndikuar në opinionin publik, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë për përpjekjet për dezinformim, shantazhimin ekonomik të aktorëve publikë dhe manipulimin e shoqërisë civile”.
Nga ana tjetër, përveç Komisioneve Hetimore Parlamentare, palët kanë nisur nga puna dhe në nëkomisionin e posaçëm për Reformat, që është ngritur në Kuvend, ku fokusi kryesor pritet të jetë pikërisht Reforma Zgjedhore. E lënë pas dore për më shumë se dy vitesh, dhe pas dështimit të komisionit të posaçëm, tashmë Reforma Zgjedhore pritet që të jetë në dorë të grupit të Rithemelimit nga radhët e opozitës.
Ky komision do të bashkëdrejtohet nga Oerd Bylykbashi dhe Damian Gjiknuri, ndërsa grupimi i Lulzim Bashës ka refuzuar që të bëhet pjesë, pavarësisht një vendi bosh që iu la në radhët e opozitës. Ky nënkomision pritet që të jetë përgjegjës dhe për reforma të tjera, por ajo Zgjedhore është më e ngutshmja, pasi do të duhet që të përmbyllet një vit përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, rrjedhimisht brenda këtij sesioni parlamentar.
Edhe komisionet hetimore nuk do të kenë më shumë sesa 4 muaj kohë që të dalin në konkluzionet e tyre, edhe pse shpeshherë, historia parlamentare ka treguar se forcat politike dalin me raporte të ndryshme, dhe asnjëherë nuk bjenë dakord në përpilimin e një qëndrimi të përbashkët.
Një çështje për të cilën palët ende nuk kanë gjetur një zgjidhje është ajo për votimin e amnistisë penale, që kërkon 84 vota. Pavarësisht se të dyja segmentet e opozitës në parim janë shprehur pro kalimit të saj, deri tani nuk ka ende një datë të parashikuar në axhendën e Kuvendit.
Sa i takon zhvillimeve të brendshme të forcave politike në vendin tonë, PS është duke vijuar përgatitjen për Kuvendin e muajit Qershor, ndërsa në bazë vijin me ritme të shpejta fushata e anëtarësimeve të reja. Ndërkohë që fraksioni i Rithemelimit ka vazhduar procesin e zgjedhjes së kryetarëve të rinj të degëve, që në shumicën e rasteve kanë rezultuar persona të konsumuar, sa në kohën e Sali Berishës, sa në kohën e Lulzim Bashës.
Me arritjen e marrëveshjes në Kuvend, edhe retorika është bërë dukshëm më politike, ndërsa akuza më e fortë e muajve të fundit ka qenë pikërsisht ajo e bërë nga Gazment Bardhi, në drejtim të vëllait të kryeministrit Edi Rama, duke e implikuar me laboratorin e kokainës në Xibrakë. Këtyre akuzave vetë kryeministri nuk ka zgjedhur që t’iu përgjigjet, ndërsa Olsi Rama tha se ato ishin shpifje, dhe përdorime politike, që bëjnë kundërshtarët për të goditur vëllanë e tij kryeministër.
Edhe më e zymtë paraqitet situata në kampin opozitar, me liderin e demokratëve që prej 4 muajsh qëndron nën arrestin e shtëpisë, dhe i janë refuzuar të gjitha kërkesat e deritanishme, për lirimin e tij nga kjo masë. /ZËRI