
TIRANË- Gjykata e Lartë ka caktuar datën 9 prill për zhvillimin e seancës gjyqësore për kërkesën e ish-kryeministrit, Sali Berisha, për lirimin nga masa e arrestit në shtëpi, ku ndodhet që prej 30 dhjetorit. Në orën 13:30 të kësaj date, një Kolegj Penal me relator gjyqtarin Sokol Binaj do të shqyrtojë në Dhomë Këshillimi rekursin e bërë nga ish-kryeministri.
Berisha kundërshton ashpërsimin e masës së sigurisë nga detyrim paraqitje dhe ndalim dalje jashtë shtetit në arrest në shtëpi, të lëna në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe Apeli i GJKKO.
Sali Berisha në "arrest shtëpie"
Gjykata e Posaçme pranoi në datën 30 Dhjetor kërkesën e SPAK për shtrëngimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin i dyshuar për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani.
Pasi Berisha nuk e respektoi masën e sigurisë "detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, GJKKO e konvertoi masën në "arrest shtëpie". Vetë Berisha e ka cilësuar arrestimin e tij politik, ndërsa ka deklaruar se kjo është një vepër e Edi Ramës për të izoluar aksionin opozitar në vend./ZËRI