
TIRANË- Deputeti Ervin Salianji u dënua me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit lidhur me dosjen “Babale”. Ky dënim, gjithashtu ka pasoja për karrierën e tij politike pasi Salianji, me arrestimin e tij humb mandatin e deputetit. Në këto kushte, në Kuvendin e Shqipërisë, Salianji do të pasohet nga Andrea Mano, i cili ka qenë Kreu i PD-së në Korçë, por edhe pas tij në listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë.

Gjykata e Apelit la sot në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i sotëm i Gjykatë së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë.
Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike. /ZËRI