
TIRANË- 8 deputetë të opozitës që janë përjashtuar për 10 ditë nga seancat plenare dhe nga mbledhjet e Komisioneve, nuk janë lejuar që të hyjnë në ambientet e Kuvendit, pavarësisht se kishin deklaruar se sot do të bënin mbledhje grupi të PD-së.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi e cilësoi këtë një akt të paligjshëm, ndërkohë që në Kryesi u lejuan vetëm deputetët që nuk kanë një masë përjashtimore.
“Deputetët nuk lejohen që të kenë askses në zyrat e Kuvendit, duke e trajtuar si vilën e Lindita Nikollës. Me lekët e korrupsionit kur ishte ministre bleu vilën e saj, ndërkohë që tani trajton si vilë dhe Kuvendin. Sot kemi arritur që ti tregojmë shqiptarëve se çfarë është në gjendje që të bëjë Edi Rama, ne nuk kemi betejë me Gardën e Republikës, kjo është fytyra e regjimit të Edi Ramës. Nuk ka pasur asnjë mbledhje të Byrosë së Kuvendit, sot është në kushtet e shpërdorimit të detyrës, siç ka ajo zyrë Në Kryesi kanë dhe deputetët e opozitës. Ne jemi përjashtuar nga seancat dhe Komisionet Parlamentare, nuk mund të na ndalojnë ne që të bëjmë mbledhjen e grupit në Kryesi”, u shpreh Bardhi.
Çfarë ndodhi sot?
Deputetët e PD-së kishin njoftuar se do të mblidhnin grupin parlamentar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit në orën 10:15 të paradites së sotme, ndërkohë që Garda kishte marrë urdhër që të mos lejonte 8 deputetët e përjashtuar që të hynin në godinë. Shkak për këtë urdhër është bërë tentativa e mazhorancës, për të mos lejuar opozitën që të bllokojë mbledhjet e Komisioneve Parlamentare. Për këtë gjatë ditës së sotme mbledhja e Komisionit të Financave dhe Ekonomisë u mbajt online, ndërkohë që në rendin e ditës janë parashikuar dhe 4 mbledhje të tjera të komisioneve. Deputetët e PD-së që janë përjashtuar për 10 ditë: Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi, Saimir Korreshi dhe Lefter Geshtenja./Zëri.ai