
TIRANË- Të mërkurën, Sali Berisha do të dalë për herë të dytë nga shtëpia që kur u vendos në "arrest shtëpie" që më 30 dhjetor të vitit të shkuar. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duket se i ka mbyllur hetimet ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ka gati aktakuzën. Kryedemokrati është njoftuar që të këtë të mërkurë në orën 12.00 të paraqitet pranë Prokurorisë së Posaçme për t’i komunikuar akuzën.
Hetimet janë mbyllur edhe për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin, i cili duhet të paraqitet brenda të njëjtës datë për t’u njohur me përfundimet e dosjes “Partizani”. Por ai është kërkuar që të paraqitet në SPAK në orën 14.00 të pasdites. Ende nuk dihet se cilat janë akuzat e zyrtarizuara nga SPAK, të cilat pritet që të mësohen ditën e nesërme.
Ashtu siç edhe ndodhi herën e parë kur Berisha doli nga shtëpia, edhe të mërkurën mbështetësit e tij dhe të Partisë Demokratike do të bashkohen për ta mbështetur para godinës së SPAK. Për këtë "detyrë" është kujdesur Flamur Noka, i cili ka dërguar një mesazh në grupet e PD-së. Edhe të mërkurën ai ka kërkuar mbështetje për Berishën.
“Të dashur miq. Ditën e Mërkurë në ora 12:00, kryetari i PD, Prof.Dr. Sali Berisha do shkojë pranë organizatës kriminale të SKAP. Të mobilizohemi të gjithë maksimalisht për protestë të fuqishme solidariteti me të drejtën, me të vërtetëm, kundrejt narkodrejtësisë. Faleminderit!” –shkruhet në mesazh.
Sali Berisha ndodhet në masën e sigurisë "Arrest shtëpie", dhënë nga Gjykata e Posaçme, pasi Berisha refuzoi të respektonte masën më të lehtë të sigurisë të dhënë më herët nga GJKKO, atë të "Detyrimit të paraqitjes". Berisha akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv "Partizani". Po në "Arrest shtëpie", ndodhet dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit akuzohet për "Korrupsion aktiv", dhe "Pastrim parash". Berisha dhe më herët ka kërkuar përjashtimin nga gjykimi të Irena Gjokës, por dhe leje për të shkuar në Kuvend, të dyja janë hedhur poshtë./ZËRI