
TIRANË- Ministri i Brendshëm Taulant Balla në një konferencë për mediat bëri me dije se pas dy ditësh do të niset për ekspertim në Itali predha që i mori jetën Aleks Nikës në protestën e 21 janarit. Megjithatë tha se nuk do të jepte detaje të tjera për të ruajtur sekretin hetimor. Balla tha me tej se vendimi i Strasburgut hap rrugë të re që hetimet të shkojnë deri në fund, por shtoi se edhe Policia e Shtetit gjithashtu po punon lidhur me ngjarjen.
"Sa i përket 21 janarit, më 21 mars 2011 kam depozituar një kallëzim penal në emër të PS me të gjitha lë të themi informacionet dhe gjetjet që kemi pasur si palë e dëmtuar. Sot jemi në kushte të reja pas një vendimi të Gjykatës së Strasburgut. Në dritën e këtij vendimi edhe Policia e Shtetit ka identifikuar detyrat që kanë dalë që lidhen me hetimin e veprimeve menjëherë pas ngjarjes por edhe me elementin kryesor, zinxhirin komandues që çoi në atë tragjedi. Është konsideruar si vrasje pa autor dhe ju e dini që dosja nuk mbyllet dhe nuk ka asnjë parashkrim. Prokuroria i ka të gjitha mundësitë që të vijojë dhe përkthyer vendimin e Gjykatës që është urdhërues që të gjitha gjetjet, e nëse doni e kemi të përkthyer dhe gati me të gjitha konkluzionet, për të bërë të gjithë hetimin e plotë, ku gjykata e vendos theksin tek zinxhiri komandues. Duhet t'i shkohet deri në fund. Policia e Shtetit duhet që të bëjë punën e saj. Pas 2 ditësh do të dërgohet në Itali predha për ekspertim. Por është shumë e rëndësishme ajo që ka thënë gjykata që këtej e tutje nuk do të ketë më asnjë hapësirë manovrimi,"-tha Balla.