
TIRANË- Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka komentuar formularin e vetëdeklarimit nga efektivët e Policisë së Shtetit nëse kanë përdorur aplikacionet SKY ECC apo Encro Chat. Sipas tij, ka ende punë për të "pastruar" Policinë e Shtetit nga të lidhurit me botën e krimit. Ndër të tjera e krahasoi vetëdeklarimin në Polici, njëjtë me formularin e dekriminalizimit që firmosën deputetët në Kuvendin e Shqipërisë. Sa i përket kërkesës së opozitës për një Komision Hetimor për sistemin TIMS, ministri tha se për të hetimi mund të nisë që sot, pasi edhe vetë ai është i investuar në zbardhjen e rastit.
Ju pak kohë më parë firmosët një urdhër për SKY apo ECC, a keni të dhëna sa punonjës e kanë plotësuar këtë urdhër? 43 deputetë kanë firmosur një kërkesë për Komisionin Hetimor për sistemin TIMS, a do e miratojë maxhoranca?
Balla: Sa i përket formularit të vetëdeklarimit, të aksesit të një punonjësi të Policisë së Shtetit në 2 aplikacione që sipas Europolit rezulton të jetë përdorur nga grupe kriminale, kjo është e lidhur me kodin etik. Kur kam thënë që nuk do të toleroj asnjë që të gjendet në tavolinë me komunikimin me persona që kanë precedentë. Edhe kjo është në versionin dixhital. Por ky formular ka vlerë të shtuar. Mos u shqetësoni për këtë formular. është i ngjashëm me formularin e dekriminalizimit, gracka nuk doli pa peshk edhe në atë kohë. Nesër është afati i fundit, është pjesë e një vlerësimi afatshkurtër dhe afatgjatë në momentin që do na dalin të dhëna të tjera.
Kërkesa e opozitës- në 18 vite anëtar i Kuvendit të Shqipërisë, kam marrë pjesë në shumicën e komisioneve hetimor. Dua që pyetjen tuaj ta kthej në një sugjerim. Ndryshimet që maxhoranca miratoi në seancën e 21 dhjetorit, janë një mundësi e artë e atyre që kishin hall tjetër. Nuk mund të ngriheshin Komisionet hetimor pa adresuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ndryshimet ishin gjëja e duhur, e vonuar, që do i japë zgjidhje për ngritjen ose jo të Komisioneve hetimore. Të ngrihet që nesër, sepse po hetohet edhe nga Prokuroria. Opozita ka pasur një hall tjetër, e dimë fare mirë dhe shpresoj që këto ndryshime në ligjin për komisionet hetimore ti japim mundësi kuvendit që ta përdori këtë instrument. Mungesa e një opozite e ka bërë opozitën me shumë koka e secili kërkon komision hetimor, uroj që të mos ngrejë komision hetimor për veten e vet./ZËRI