
TIRANË- Konventa e Partisë së Lirisë supozohej se do t’i vinte pikat mbi i për dualizmin që krijoi drejtimi i një force politike nga dy bashkëshortët, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Këta të dy e gjetën shpejt gjuhën e përbashkët, por inatet e vogla nuk janë shuar ende tek ndjekësit e njërit apo tjetrit grupim. Ish-nënkryetari i Partisë së Lirisë Endrit Brahimllari ka sulmuar sekretarin e Përgjithshëm të PL Tedi Blushin, për të cilin propozoi kthimin në gazetari, se sa angazhimin në parti.
“Besoj do të bënte më mirë detyrën, profesionin e vet se sa të sekretarit të përgjithshëm. Në gjykimin tim. Pa e… Pa e.. Pa ee… Ai është profesionist i mirë në fushën e tij dhe unë kam vlerësim për atë ç’ka ai përbën në fushën e vet. Sekretari i përgjithshëm, apo roli i organizimit të partisë kërkon një angazhim tjetër. Unë besoj se do ketë kohën e nevojshme për të marrë ritmin e nevojshëm që kërkojnë strukturat. Po s’kam asgjë personale me Tedin. Se është atakuar në publik. S’kam asgjë”- u shpreh Brahimllari kur iu kërkua një koment për Blushin në Euronews.