
TIRANË- Juristi Romeo Kara i ka kthyer përgjigje kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ky i fundit e quajti juristin që çoi në SPAK çështjen një kallëzues të rremë. Përgjigjen e ka marrë nga vetë Kara, i cili me ana të një postimi në Facebook tha se Meta kishte pasur kohë që të ngrinte padi për kallëzim të rremë por nuk e ka bërë.
"Likja kishte gjithë kohen e duhur, për të me kallëzuar për kallëzim të rremë, por, kurrë nuk e bëri, pasi besoi se, kurrë nuk do te vinte dita e se vërtetës për të. E këshilloj te interesohet ne Gjykatën e Apelit Tirane, për t'u informuar për pafajësinë time.
Edhe nëse do te isha i dënuar 100 here, për çfarëdo lloj vepre penale qofte, ligji nuk ma heq te drejtën, për te kallëzuar çdo vepër penale, përfshirë edhe korrupsionin e pushtetarëve dhe ish pushtetarëve. Përkundrazi, moskallëzimi do te ishte realisht vepër penale.
Kjo çështje, korrupsioni i aferës DIA-CEZ, nuk është hapur dhe mbyllur asnjë here me pare edhe pse ka mbi gjashte vjet ne prokurori. Pra është Meta qe gënjen, shpif dhe mikson çështjet, sipas interesit te tij. Megjithate, duhet t'a kuptojme se, realisht është ne hall te madh...", shkruan ai.
Çfarë tha Meta pas daljes nga SPAK?
Ilir Meta: Është rihapur në dhjetor 2019 me një kallëzues i cili është dënuar dy herë për shpifje, një person që ka qenë punonjës i DIA-s, tani është i OSHE dhe përdoret nga regjimi për shpifje, një person që ka dhënë në gjykatë një dëshmi ku asgjëkundi s’ka përmend emri im dhe me pas për arsye të problemeve që ka patur është përdorur për këtë çështje.Unë isha si një person që kam dijeni për rrethana të caktuara, u pyeta për detaje të ndryshme që nuk kanë asnjë rëndësi. Për këtë çështje unë kam dhënë shpjegime dhe në të kaluarën. Asnjë akt, asnjë shkresë nga ana e Ilir Metës nuk është bërë në interes të askujt. Kjo është një çështje që është gjykuar dy herë, diktohet politikisht nga Edi Rama, për të spostuar vëmendjen.
Skandali i CEZ/DIA
Skandali i ka fillesat në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve tek CEZ-DIA. Në atë kohë ERE uli çmimin e energjisë për CEZ. Kjo fundit ia u shiste qytetarëve më shtrenjtë dhe fitonte miliona. Më pas, në vitin 2013, kur në pushtet erdhi Partia Socialiste, u bë edhe ndërprerja e kontratës që i shkaktoi buxhetit një dëm mbi 414 mln euro, u bë me argumentin se CEZ nuk kishte bërë asnjë prokurim për të importuar energji elektrike në vjeshtën e 2012, dhe në këto kushte e gjithë kërkesa për energji elektrike përballohej nga rezerva e kaskadës se Drinit.
Në fund të vitit 2015, Ministria e Energjisë dhe Industrisë që drejtohej nga Damian Gjiknuri, kallëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme ish ministrat (Ridvan Bode, ish-ministër i Financave, Florion Mima, ish-ministër i Ekonomisë, Genc Ruli, ish-ministër i Ekonomisë etj) dhe ish drejtorët e Berishës për shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe shkelje, duke favorizuar CEZ me çmimin e energjisë elektrike, faljen e detyrimeve dhe njohjen e borxhit të keq. Por Prokuroria e Përgjithshme e mbylli dosjen. I vetmi i dënuar ishte Kastriot Ismailaj, pronari i Kompanisë DIA. Ish-administratori i DIA-s u vërtetua fajtor për akuzat penale “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim parash”. Teksa kërkoi lirinë, ai paraqiti 132 prova të reja, për të cilat argumentoi se nuk kishte pasur mundësi t’i siguronte më parë. Megjithatë sipas Prokurorisë së Tiranës, biznesmeni Ismailaj i ka konsumuar veprat penale gjatë marrëveshjes CEZ-DIA, duke përfituar përmes mashtrimit një shumë prej 5 milionë euro. Pavarësisht kërkesave të tij të njëpasnjëshme për liri, ai u doli nga burgu në shtator të këtij viti, pas 9 vitesh burg./Zëri.ai