
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani ka bërë një akuzë të fortë gjatë mbledhjes së sotme për Komisionin Hetimor të TIMS. Në fjalën e tij, Dogjani tha se drejtori i IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça i arrestuar pak ditë më parë, mund të jetë edhe ndonjë agjent i shërbimeve të huaja. Por jo vetëm kaq, sipas tij, në kohën që Muça ka qenë pjesë e AKSHI-t ka tentuar t’i transferojë 1 milion euro një kompanie "Soft&Solution" duke përdorur një punonjës tjetër.
Asllan Dogjani: Në kemi ngritur një komision, sepse ka ndodhur një skandal në Shqipëri. Nuk është hera e parë, kur këtu akuzohen për ndërhyrje në sistemin TIMS dhe jo vetëm. Dyshohet se ky Ervin Muça ka ndërhyrë dhe ka nxjerrë nga tatimet, të dhëna që kanë të bëjnë më pagën. Ka të dhëna që ka qenë dëshmitar te kadastra edhe nga aty paska nxjerrë të dhëna. Na ka nxjerrë targat, por unë kam edhe një informacion tjetër, në kohën që ka qenë te AKSHI, paska një kallëzim nga punonjësi i tij, që paska ndërhyrë nëpërmjet një punonjësi të transferojë 1 milion euro një kompanie soft – solution dhe e ka kap shefja e thesarit dhe kur ka pyetur këtë punonjësin, ky ka thënë unë nuk di gjë. Atëhere ka bërë kallëzim punonjësi dhe është larguar nga puna. Përvec kësaj ka marrë edhe një punonjës tjetër, Klodian Mazari, i cili qenka e dënuar në Itali. Është arrestuar tani për shfrytëzim prostitucioni dhe trafik droge. Vazhdon të jetë i dyshuar se është i përfshirë në rrjedhjen e të dhënave të TIMS. Mund të jetë një agjent i huaj dhe mund të përdorë të dhënat kundër Shqipërisë. Zoti Berisha hodhi dyshimet se mund të jetë agjent rus. Ai zotëri ka kryer tradhëti kombëtare vëlla. Të mos bëjmë politikë por të nisim direkt nga puna. Unë do t’i kërkoja që ta shtrijmë objektin e hetimit, pasi është cënuar siguria kombëtare.
Çfarë është "Soft & Solution"?
Soft & Solution është një kompani, e cila në katër vitet e fundit ka përfituar mbi 18 milionë euro pagesa të drejtëpërdrejta nga thesari i shtetit për tenderat e fituar kryesisht nga AKSHI. Këtu nuk përfshihen tenderat e përfituara nga institucionet publike jashtëbuxhetore, të cilat nuk raportohen në sistemin e thesarit apo kontratat, që fitohen me kompanitë satelite. Emri i zotit Beqiri u bë i njohur për herë të parë për publikun si një nga ekspertët e pajtuar për të vërtetuar autenticitetin e video përgjimit të Ilir Metës me të ndjerin Dritan Prifti. Më vonë, kompania e tij do të përfshihej në skandalin e tenderave të byzylykëve për të dënuarit, ndërsa pas monopolizimit të tenderave të IT-së nga AKSHI, Beqiri u shndërrua në një nga dinosaurët e kontratave publike të këtij sektori. Vetëm pak më ditë më parë Soft & Solution përfitoi një kontratë tjetër të majme mbi 5.6 milionë euro nga AKSHI për sistemin e qendërzuar të nënshkrimit elektronik./ZËRI