Politikë

Kriset ‘marrëveshja’ PS-PSD? Dështon mbledhja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Sokoli: Pse s'ka punësime?

Në mbledhjen e sotme, social-demokratët miratuan vetëm ndihmën ekonomike dhe të paaftësisë, por jo para se të kritikonin në punën e tij kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci. 

k.m.
Kriset ‘marrëveshja’ PS-PSD? Dështon mbledhja e
Pamje nga Këshilli Bashkiak

SHKODËR- Mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak të Shkodrës ka treguar "sinjalin" e parë të marrëdhënieve mes të zgjedhurve të Partisë Socialiste dhe Socialdemokratëve, parti e drejtuar nga Tom Doshi. Në mbledhjen e sotme, social-demokratët miratuan vetëm ndihmën ekonomike dhe të paaftësisë, por jo para se të kritikonin në punën e tij kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci. 

Në fakt në fjalën e tij para anëtarëve të Këshillit, kryetari i grupit të PSD-së, Gjek Sokoli theksoi mungesën e punësimeve në administratën e Bashkisë nga Benet Beci, por nuk harroi që t'i jepte "hakun" për punët që po kryente nëpër qytet. Sipas gazetarit, Ergys Kavaja, pas përfundimit të fjalës dhe pas votimit të dy paketave për ndihma, të gjithë u çuan dhe u larguan nga salla e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak. Veprim ky që i dha fund takimit për shkak të mungesës së kuorumit. Para tyre nga mbledhje ishin larguar edhe të zgjedhurit e Rithemelimit që ndryshe nga kolegët e PSD-së, kërkonin një interpelancë me Becin për largimet nga puna. Por duke qenë se kërkesa e tyre nuk u pranua, edhe ata braktisën mbledhjen.

Ndaj edhe pse Partia Socialiste, ka 18 vende në Këshillin Bashkiak, nuk i ka numrat në anën e saj. PSD me 11 vende, dhe opozita me të tjerat përbëjnë shumicën në Këshill, duke paralizuar kështu të gjitha propozimet e bëra nga Beci dhe përfaqësuesit e tij. 

Por kjo nuk është përplasja e parë që ndodh mes PS dhe PSD! Në janar të këtij viti, Marina Duhani u hoq nga posti i kryetares së Këshillit të Qarkut të Shkodrës. Ajo u emërua në këtë post në qershor të vitit 2023, fill pas fitores së parë të Partisë Socialiste në kryeqendrën e Veriut. PSD kërkoi postin e kryetares, duke qenë se në të gjithë qarkun arriti të siguronte 37 këshilltarë, një më shumë se Partia Socialiste. Por Duhani u shkarkua dhe në vendin e saj u caktua Edmond Ndou, i cili aktualisht është edhe kryetar i grupit të Këshilltarëve të PS-së në Këshillin Bashkiak Shkodër./ZËRI

Poll

MOS HUMB