
TIRANË-Me votat e mazhorancës dhe opozitës në Komisionin hetimor për të dhënat TIMS, u miratua plani hetimor i ekspertes së Partisë Socialiste, Vjosa Bodo. Në planin e miratuar, kryeministri Edi Rama nuk është parashikuar në listën e dëshmitarëve ashtu siç ka kërkuar më herët opozita, por megjithatë ka mundësi për ndryshim. Kjo pasi Komisioni Hetimor e ka të drejtën që të thërrasë edhe dëshmitarë të tjerë, nëse do të lindë nevoja gjatë diskutimeve. Në listën e dëshmitarëve janë emrat e një sërë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh që do të merren në pyetje nga Komisioni Hetimor.
Dëshmitarët:
Ministri i Brendshëm Taulant Balla,
Drejtori i Policisë Muhamet Rrumbullaku,
Drejtori i AMP, Florian Sulejmani,
Ish-drejtori i AMP Ardi Veliu,
Saimir Boshnjaku,
Zef Laska,
Neritan Nallbati,
Dorjan Tola,
Ervina Gjana,
Besjon Tanuzi,
Enri Ndoni,
Ardit Muca,
Besnik Dervishi dhe
Vlora Hyseni.
Ç'ka ndodhur me sistemin TIMS?
Sulmi i ndodhur në 2022 ndaj sistemit TIMS është marrë përsipër nga një grup i identifikuar si Homeland Justice, i cili, sipas qeverisë shqiptare është i financuar nga Irani. Pikërisht për këto sulme, jo vetëm ndaj TIMS por edhe institucioneve të tjera, kryeministri Edi Rama deklaroi ndërprerjen e marrëdhëneve me Republikën Islamike të Iranit. Pas sulmeve kompania Microsoft që mori pjesë në hetimin e ngjarjes tha se të gjitha zbulimet e saj ishin të lidhura me Iranin./ZËRI