
TIRANË- Kuvendi Kombëtar i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha po mbahet sot në Pallatin e Kongreseve. Kuvendi u lajmërua me premtimin se do bashkonte demokratët por në takimin e sotëm Berisha u gjend pa shumë prej bashkëpunëtorëve të rikthyer krah të tij gjatë aksioneve të fundit në Parlament.
“Grupi parlamentar i PD është i bashkuar. Pra, grupi është sot simbol i qëndresës së PD. Problemet, të cilat nuk i injoroj, janë në zgjidhje e sipër. Kjo është e sigurt. Dëshira është që deputetët të jenë në Kuvendin Kombëtar, por bashkëpunimi do të vazhdojë sikur kanë qenë në sallë”, tha Berisha.
Ish-kryeministri pritet të kërkojë votëbesimin e demokratëve, për t’u zgjedhur kryetar i PD-së. Por i pari që nuk u pa në Pallatin e Kongreseve ishte Gazment Bardhi, e bashkë me të edhe 15 deputetë që mbështesin atë. Në sallë nuk u panë as deputetët që kanë bërë fushatë si Ervin Salianji, që doli fitues në Kavajë, apo Agron Gjekmarkaj dhe Ferdinand Xhaferaj.
Ndërkohë edhe pse nuk mori pjesë në Kuvendin e PD-së deputeti Ervin Salianji ka reaguar në rrjete sociale, duke theksuar në shkrimin e tij se opozita ka nevojë për ndryshime të thella. Salianji shprehet se opozita e ka jetike transformimin rikonceptimin, ridimensionimin dhe qasjen ndryshe me qytetarët dhe vetveten.
"Opozita e ka jetike transformimin, rikonceptimin, ridimensionimin dhe qasjen ndryshe me qytetarët dhe vetveten! Korrigjimet janë të pamjaftueshme, ndryshimet e thella më shumë se të domosdoshme! Bashkimi mes vetes dhe hapja drejt shoqërisë është frymëmarrje jetike për opozitën sot! Nevoja për ti hapur rrugën me meritë më të mirëve, profesionistëve me integritet, diasporës, të rinjve, shoqërisë!"-shkruan ai në postimin e tij në Facebook.
Ky kuvend, me shumë gjasa, votëbesimin ndaj Berishës do të ketë si vendimin e vetëm domethënës, ndërsa forcimi i aksionit opozitar si në Kuvendin e Shqipërisë apo dhe në terren nuk do të formalizohet dhe me njërin prej fraksioneve të PD-së.
Lista e deputetëve që nuk morën pjesë në Kuvend:
Gazment Bardhi
Dhurata Ccupi
Ervin Salianji
Agron Gjekmarkaj
Ferdinand Xhaferaj
Saimir Korreshi
Dashnor Sula
Lefter Gwshtenja
Zheni Gjergji
Qani Xhafa
Xhelal Mziu
Bledion Nallbati
Helidon Bushati
Ramadan Likaj
Flamur Hoxha
Tomor Alizoti
Sorina Koti
Bujar Leskaj
Isuf Celaj
Kastriot Piroli