
TIRANË- SPAK ka pranuar kërkesat e avokatëve mbrojtës të Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezi, që kërkuan shtyrjen e marrjes në pyetje të dy të pandehurve, për shkak të axhendës së tyre. Kështu Berisha dhe Malltezi do të merren në pyetje javën e ardhshme. Në njoftimin e SPAK, thuhet se Sali Berisha do të merret në pyetje në datën 23 Janar, ndërsa Malltezi në datën 25 Janar.
Edhe pse ishin njoftuar me shkrim, në lidhje me marrjen në pyetje sot dhe nesër në ambientet e SPAK, si avokatët e Berishes, ashtu dhe ata të Malltezit kërkuan që seanca të shtyhej, për shkak se ata ishin të zënë me çështje të tjera. Duke qenë se marrja në pyetje duhet të bëhet në prani të avokatëve, SPAK ka vendosur që të shtyjë procesin për javën e ardhshme.
Kjo do të jetë hera e parë për Berishën që do të merret në pyetje në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani, për të cilin është lënë në masën e sigurisë arrest shtëpie.
Për Malltezin SPAK kishte kërkuar që të merrej në pyetje këtë të mërkurë, ndërsa për Berishën të merrej në pyetje gjatë ditës së nesërme.
Si Berisha ashtu dhe Malltezi kanë apeluar vendimin e Gjykatës së Posaçme që i lë ata në masën e arrestit të shtëpisë. Gjatë ditës së djeshme u bë publike gjithashtu dhe kërkesa e avokatëve të Berishës, ku ish-kryeministri i kërkonte leje Gjykatës së Posaçme që të merrte pjesë në seancat në Kuvend.
Kjo është hera e parë që Gjykata e Posaçme do të përballet me një kërkesë të tillë, ku një ligjvënës gjendet nën masën e arrestit të shtëpisë, dhe kërkon leje që të jetë i pranishëm në Kuvend. Gjyqtarja që do të shqyrtojë kërkesën e Berishës është Ilirjana Olldashi.
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për "korrupsion pasiv'. Në privatizimin e klubit sportiv “Partizani”, dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, e po ashtu edhe ndërtuesi Fatmir Bektashi. Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i Partizanit, për të ndërtuar më pas komplekse banimi. GJKKO vendosi masën e sigurisë 'detyrim parqitje' për ish-kryeministrin Berisha, teksa ky i fundit ka refuzuar të paraqitet pranë OPGJ. Pas kësaj, SPAK kërkoi shtrëngimin e masës së Berishës, duke bërë që GJKKO ta vendoste nën masën e arrestit të shtëpisë. /ZËRI