
TIRANË- Ka zgjatur më pak se 30 minuta seanca e sotme në Kuvend, ku socialistët kaluan një sërë ligjesh, me forcën e kartonave, në një kohë që opozita tentoi që të bllokonte punimet. Një pjesë e mirë e deputetëve dhe ministrave qëndruan në këmbë për shkak se karriget iu ishin marrë nga kolegët e tyre opozitarë.
Gjatë kohës që kalonin ligjet në Kuvend, deputetët e opozitës i ranë tavolinës dhe ndezën flakadanë, por nuk arritën dot që të pengonin votimin. Pas seancës, deputetët e opozitës njoftuan një mbledhje të grupit, ku duket se dhe do të diskutohet mbi aksionin e ardhshëm që ata do të ndërmarrin.
Në seancën e sotme në Kuvend ka pasur tensione të forta mes deputetëve të PD-së dhe atyre të PS-së, ndërkohë që nuk kanë munguar as përplasjet fizike, por edhe tymueset që u lëshuan në sallë nga deputeti Ervin Salianji. Pavarësisht kësaj, drejtuesja e seancës Lindita Nikolla ka kaluar në votim një sërë ligjesh dhe nismash, që janë miratuar vetëm me votat e mazhorancës./Zëri.ai