TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha, pas situtatës së krijuar në sallën e Kuvendit, ka deklaruar se opozita është në grevë dhe mazhoranca duhet të respektojë qëndrimin e tyre. Berisha tha se opozitës i janë dhunuar të drejtat, dhe deputetët socialistë i quajti mbrojtës së bandave kriminale.
“Tani mund të ikni sepse ne do të vazhdojmë. Kjo që shikoni është grevë. Ju po dhunoni të drejtat tona, pse mbroni një bandë kriminale që shkel të drejtat Kushtetuese.
Kjo është protestë për të mbrojtur Kushtetutën. Parlamenti nuk është vetëm i juaji. Ju nuk i njihni të drejtat tona. Po dhunoni të drejtat tona. Ju mbroni një bande kriminale që shkel të drejtat Kushtetuese. Unë po mbroj kushtetutën këtu. Na caktoni ju kryetarin. Turp!”, deklaroi Berisha nga salla e Kuvendit.
Në seancën e sotme në Kuvend ka pasur tensione të forta mes deputetëve të PD-së dhe atyre të PS-së, ndërkohë që nuk kanë munguar as përplasjet fizike, por edhe tymueset që u lëshuan në sallë nga deputeti Ervin Salianji. Pavarësisht kësaj, drejtuesja e seancës Lindita Nikolla ka kaluar në votim një sërë ligjesh dhe nismash, që janë miratuar vetëm me votat e mazhorancës./Zëri.ai