
TIRANË- Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka folur për objektivin e Policisë së Shtetit për vitin 2024. Në një konferencë për mediat, Taulant Balla theksoi se armëmbajtja pa leje vijon të jetë një fenomen negativ në Shqipëri që çon në rritjen e ngjarjeve kriminale në vendin tonë. Ndaj edhe shtoi se ka një angazhim në rritje për t’i dhënë fund rasteve të armëmbajtjes pa leje, por një apel bëri dhe për qytetarët.
Nga ekrani, kërkoi që qytetarët të respektojnë Policinë e Shtetit dhe të mos i kundërshtojnë.
"Objektivi im dhe i Policisë së Shtetit në 2024 është për një qasje edhe më të ashpër ndaj çdolloj forme posedimi apo armëmbajtje pa leje. Kjo është një arrogancë e hapur ndaj ligjit dhe ndaj komunitetit. Dhe ne do t’i japim fund çdo lloj shprehje publike të personave të cilët shfaqen në bare, në mjedise publike me armë me vete apo armë të fshehura në kroskotet e makinave apo në vende të tjera. Kam për qëllim krijimin e një qasje të re. Na duhet që politika e re penale të zërë vend. Ia them çdo qytetari, nuk mund të kundërshtosh punonjësin e Policisë. Ndoshta punonjësi i Policisë mund të jetë gabim në urdhërin dhe vendimin që ka marrë por ne kemi krijuar të gjithë instrumentat e apelimit të atij vendimi. Por urdhëri i punonjësit të Policisë duhet zbatuar,"-tha ndër të tjera Balla./ZËRI