
TIRANË- Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri i është drejtuar këtë të hënë Gjykatës Kushtetuese, ku kërkon leje për të bërë betimin si kryebashkiak. Po ashtu në kërkesën e tij dërguar në Kushtetuese, Beleri kërkon që çështja e tij të trajtohet me përparësi. Kjo kërkesë e Belerit vjen pasi disa ditë më parë, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj u shpreh se nuk kishte një kërkesë për përshpejtimin e procesit.
“Ju drejtohem Ju që jeni gardianët e Kushtetutës, që të dëgjoni lutjen time dhe të banorëve të Himarës për caktimin e një date sa më të shpejtë të gjykimit të kërkesës time, duke parë që ka kaluar kohë e gjatë prej 1 viti që pushteti qendror ka cenuar të drejtën e zgjedhjeve në Himarë”, thuhet midis të tjerash në kërkesë.


Fredi Beleri u arrestua në një lokal në Himarë, 2 ditë përpara zgjedhjeve të 14 majit. Ai dyshohet se ka blerë vota, së bashku me bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshin. Beleri nuk ka kryer betimin, pasi gjykata nuk i ka dhënë leje për diçka të tillë. Çështja Beleri ka kaluar tashmë edhe kufijtë e Shqipërisë, duke u bërë “mollë sherri” edhe në marrëdhëniet me Greqinë./ZËRI