
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka vijuar reagimet pas vendimit të Gjykatës së Apelit për ta dënuar me një vit burg. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan dhe në nisje të fjalës së tij, Salianji ka thënë se nuk e njeh frikën dhe për këtë arsye është dënuar me burg. Salianji u shpreh se ai është dënuar mbi bazën e dëshmive të Fredi Alizotit. Ky i fundit është personi që pretendohet se ka bërë zërin e Agron Xhafajt në audio-përgjimin me Albert Veliun (Babalja). Ervin Salianji ka hedhur akuza ndaj 3 zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të policisë, se kanë paguar Fredi Alizotin dhe se ky i fundit është kontigjent policie.
“E kam thënë, nuk e njoh frikën dhe ky dënimi për këtë ishte. Është një medalje më e larta që ka ky regjim pa asnjë akuzë dhe asnjë fakt penal. Denoncim ndaj trafikantëve të drogës. Fredi Alizoti, personazhi mbi dëshminë e të cilit unë jam dënuar sot, unë nuk i kam njohur kurrë as para as pas tani Fredi Alizotin, s’kam pasur kurrë takim. Të gjitha përgjimet tregojnë që Fredi Alizoti është paguar nga Ardi Veliu ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë, nga drejtori i Policisë Fier dhe Andon Marko ish-zv/drejtor i Policisë Fier, të tre këta i çojnë lekë. Ishte rekrutuar sepse ishte kontigjent i policisë, kishte 6 dënime. Babalja ka qenë në PD me gazetarin Jetmir Olldashi. Kërkuan që nëse bëhet një investigim a do kishte mbështetje nga PD. Kanë kërkuar a do të kishte mbrojtje dhe denoncim nga PD. Nuk e kam njohur asnjëherë më parë Albert Veliun. Asnjë njeri i rrethit tim nuk e ka njohur kurrë. Përgjimin nuk e kanë sjellë te unë në fillim ata. Më thanë që do kemi një denoncim, tha jam në mllef me Agron Xhafajn për shkak se kur kam rënë në burg më ka lënë dhe ka braktisur dhe dua që t’i bëj këtë gjë. Këta kanë shkuar kanë gjetur drogë nëpër pleq, kanë gjetur drogë aty që ishte sheshit. Ditën që ka dalë ky denoncim Agron Xhafaj ka shkuar në burg. Ka dalë Edi Rama ka thënë kam akt ekspertimin. E çuan te laboratori shtetëror në Itali, nuk ja u pranoi sepse zëri i marrë i Agron Xhafajt nuk ishte marrë në formën e duhur. Shkuan në një laborator privat anglez. Dëshmia e Fredi Alizotit është marrë parasysh, 3 dëshmitë tona nuk merren parasysh”, u shpreh Ervin Salianji.
Gjykata e Apelit la sot në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i sotëm i Gjykatë së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë.
Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike./ZËRI