TIRANË-Në mbledhjen e Kryesisë së PD-së u diskutua vendimi i Gjykatës së Apelit e cila la në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Partia Demokratike vendosi që pas 10-ditësh të nisë aksionin opozitar me protesa e bllokim rrugësh. Propozimi u dha nga sekretari i PD, Flamur Noka i cili kërkoi që opozita të përshkallëzojë aksionin e saj. PD ka njoftuar se do të dalin në protestë kombëtare më 6 tetor.
Flamur Noka: Sot shqiptarët panë që ligjin e dikton Maliqi dhe Maliqi është kreu i narkoshtetit Edi Rama. Sot Shqipëria mori mesazhin më të keq, drejtësia është e vdekur dhe ligji është kamxhik kundër opozitës dhe jo kundër atyre që janë të korruptuar inkriminuar apo shkelës të ligjit. sot u dha vendim një denoncues të narkotrafikut dhe miri në mbrojtje narkotrafikantin. Regjimi po na kërcënon. Protesta në çdo qark, bllokim aksesh rrugore, të porteve dhe uniuversiteteve. Ose të qëndrojmë dhe të justifikojmë besimin e votuesve, ose ne nuk meritojmë të qëndrojmë në këtë karrige dhe të përfaqësojmë demokratët, detyra jonë është të ngrihemi, ky regjim nuk ndalet ndryshe.
Sali Berisha, kryetari i PD mbajti fjalën e tij në një lidhje direkte për Kryesinë e PD, pas vendimit të Apelit për deputetin e PD. Kryedemokrati u shpreh se asnjë njeri i ndershëm nuk mund ta konsiderojë ndryshe dënimin e deputetit Ervin Salianji veçse një ndëshkim, një hakmarrje primitive, e verbër e klaneve më të egra mafioze. Berisha shtoi se Salianji në ndërgjegjen e tij, në idealet e tij, zgjodhi të jetë përfaqësuesi i vërtetë i demokratëve. Sipas Berishës, përballë kësaj situate, opozita duhet t’i përgjigjet dhëmb për dhëmb regjimit Rama, që po bën gjithçka që në Shqipëri të mos ketë opozitë.
Berisha: Një ngjarje plotësisht e parashikuar, por të pandodhur që nga vitet më të zeza të diktaturës gjer sot ndonjëherë në Shqipëri. Sot, deputeti Salianji me padinë e narkotrafikantit ndërkombëtar Geronm Xhafa, Fatmir dhe Edi Ramës u dënua me një vit burg, për guximin që ai tregoi për detyrimin që ai përmbushi ndaj demokratëve, ndaj qytetarëve dhe zgjedhësve të tij duke denoncuar një lidhje të tmerrshme kriminale, e cila kishte pasoja. Trafiqe të egra, zhdukje personash, vrasje, të njërit prej klaneve më të fuqishme, klanit të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa. Me këtë akt Edi Rama shpalli luftë të hapur PD-së, opozitarëve dhe mbarë qytetarëve. Asnjë njeri i ndershëm nuk mund ta konsiderojë ndryshe dënimin e Salianjit, veçse një ndëshkim, hakmarrje primitive, e verbët e klaneve më të egra mafioze, të cilat midis një prite dikur në errësirë zgjodhën narkoshtetin, për t’i dhënë përgjigjen hakmarrëse që mendoni. Sot Geron Xhafa, arriti të dënojë deputetit guximtar Ervin Salianji, sepse ai në ndërgjegjen e tij zgjodhi të jetë përfaqësuesi juaj i vërtetë, zgjodhi midis kokë-uljes dhe indiferencës e moskokëçarjes t’i thotë kriminelit kriminel, edhe pse ishte vëllai ministrit. Ky përfaqësues i juaji zgjodhi më të ndershmen dhe më dinjitozen ndaj jush, nuk pranoi t’i arkivojë, por doli në shesh, u tha shqiptarëve se ‘Geron Xhafa’ drejton trafiqe dhe ka mbrojtjen e vëllait të tij. Nuk shpifi, ishte i dënuar. Salianji është i dënuar se ai guxoi për ju t’i dalë ballë për ballë kreut të krimit në Shqipëri.
Qëndrimi ynë do jetë një opozitë me të madh dhe të vogël, me të gjithë ata që guxojnë, në protestë, në protestë, në protestë. Qëndrimi ynë do jetë përqafimi i modelit të rezistencës në rrugë, në shesh, të përballjes dhëmb për dhëmb si objektivi më madhor absolut. Me këtë regjim që nuk njeh Kushtetutë. Me këtë regjim që bën gjithçka që të mos ketë opozitë. Me këtë regjim që trajton Shqipërinë si plaçkë personale, si çiflig. Po prapë të kthehemi edhe njëherë aty ku theksova, pa një opozitë sovrane, nuk ka sovranitet të brendshëm. Po të ishte puna për sovranitet të jashtëm, Enver Hoxha nga mëngjesi gjer në darkë sfidonte të gjithë botën. Po ishte Shqipëria një vend sovran? Ishte një vend pa sovranitet të brendshëm. Kjo betejë duhet të kuptohet jo betejë për individin, as për Salianjin, as për Berishën, as për Metën, as për Mediun.
Nga ana tjetër, Agron Gjekmarkaj e theksoi rëndësinë e një reagimi të menjëhershëm për situatën e Salianjit, duke kërkuar zhvillimin e diçkaje simbolike që nesër. Ai u shpreh se, nëse Partia Socialiste do të kishte përjetuar një situatë të ngjashme kur ishte në opozitë, do të kishte pasur reagime të menjëhershme nga ndërkombëtarët. Ndërkohë, të premten (27 shtator) pritet që të mblidhen sërish deputetët demokratë, ku pritet të vendoset kushtëzimi i raporteve me Kuvendin.
Agron Gjekmarkaj: Ne jemi ende shumë të vakët me ndërkombëtarët,” tha Gjekmarkaj. “Të bëjmë diçka simbolike nesër, sepse po t’i ndodhte PS-së kjo kur ishte në opozitë, do të kishte reaguar i gjithë faktori ndërkombëtar. Ne jemi ende shumë të vakët me ndërkombëtarët. Më shumë se protesta, Ramës i dhemb kur reagojnë gazetat, shtypi, ndërkombëtarët. Prandaj, duhet ta përdorim edhe këtë formë të rëndësishme. Duhet të bëjmë një përpjekje të madhe me ndërkombëtarët, sepse dënimi politik do të thotë që kjo drejtësi e re nuk funksionon ashtu siç duhet.
Deputetja Ina Zhupa theksoi nevojën për një protestë të pandalshme dhe të qëndrueshme, duke e cilësuar atë si një domosdoshmëri.
Ina Zhupa: Nuk protestojmë as për Salianjin, as për Sali Berishën, por për çdo qytetar që sot është më i frikësuar se kurrë. Protesta e pandalshme dhe e qëndrueshme është një domosdoshmëri. Ne nuk protestojmë as për Salianjin, as për Sali Berishën, por për çdo qytetar që sot është më i frikësuar se kurrë. Frika mban diktaturat në këmbë, dhe sot po mbillet frika te shqiptarët. Ne kemi një mision historik për ta mposhtur frikën e qytetarëve dhe për të qenë në krye të revoltës. Këto fabrikime të tmerrshme, të ngjashme me ato të Enver Hoxhës, janë thikë mbi kokat e çdo shqiptari. Deputetët duhet të jenë në ballë, në parlament, në rrugë. Dënimi sot, duke krijuar precedentin e parë në vend me burg për kallëzim të rremë, tregon qartësisht arrogancën e pushtetit. Arroganca do përballje, vendosmëri dhe qëndresë të palëkundur. Nuk na intereson karrigia po nuk mbrojmë kushtetutën dhe të drejtat themelore të qytetarëve.
Gjykata e Apelit la sot në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i sotëm i Gjykatë së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë.
Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike./ZËRI