Politikë

‘Nuk jam mirë’, Lefter Koka dorëzon raport mjekësor në GJKKO

Më datë 5 tetor pritet vendimi përfundimtar për 'grupin e Lefter Kokës'

D.XH
‘Nuk jam mirë’, Lefter Koka dorëzon raport mjekësor
Lefter Koka, Alqi Bllako dhe Klodian Zoto

TIRANË - Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të shpallë më datë 5 tetor 2023 vendimin për të pandehurit e aferës në inceneratorin e Elbasanit. Mësohet se ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka ka dorëzuar një raport mjekësor në gjykatë, duke u shprehur se nuk ndihet mirë nga ana psikologjike, ndaj edhe kërkon nxjerrjen nga qelia. Pretendimin e tij, ai kërkon që trupa gjykuese e GJKKO ta ketë parasysh në marrjen e vendimit. 

Hetimet

Prokuroria për hetimet mbi inceneratorin e Elbasanit dhe Fierit ka thënë se “nga hetimet e kryera është provuar se në proçedurën e dhënies së konçensionit dhe në lidhjen e kontratës me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, nuk janë kryer të plota veprimet përgatitore për dhënien e konçensionit”.

Po ashtu “nga hetimet është provuar gjithashtu fakti se nuk është është zbatuar proçedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e proçedurës që është përdorur për dhënien e konçensionit”, në kundërshtim më kuadrin ligjor dhe sugjerimet e Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Prokurimit publik. Për këtë arsye, për të shtatë zyrtarët rëndon akuza e “Shpërdorimit të detyrës”.

Ndërsa për ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, dhe tre sipërmarësit, rëndojnë po ashtu dhe dy akuza të tjera për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash” kryer në bashkëpunim. Sipas prokurorisë përmes kompanive të përfshira janë pranuar fatura fiktive dhe janë kryer pagesa për punë të pakryera për afro 3 milion euro. Më shumë se 90 përqind e kësaj vlere, ka shkuar sipas prokurorisë, në formën e ryshfetit, në favor të ish ministrit Koka, “duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij”.

Pretenca e SPAK

Lefter Koka, SPAK kërkon 10 vite, përfiton 6.8 me gjykim të shkurtuar.

Alqi Bllako, SPAK kërkon 4 vite, përfiton 2 vite 8  muaj me gjykim të shkurtuar

Mirel Mërtiri 10 vite burg, përfiton 6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar

Stela Gugallaj 7 vite burg, përfiton 4 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar

Klodjan Zoto 10 vite burg, përfiton 6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar

Pëllumb Abeshi 4 vite burg, 2 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar

Jonida Zeqo 4 vite burg, 2 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar

Serafin Papa 4 vite burg, përfiton 2 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar

Bardhyl Çabiri 4 vite burg, përfiton 2 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar.

/Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB