
KUKËS- 45 946 qytetarë me të drejtë vote në Kukës, do të kenë mundësinë që të dielën t’i drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë së tyre, pas arrestimit të Safet Gjicit, menjëherë pasi iu bë publik një videoskandal seksual.
Zëri.ai ka siguruar dhe fletën e votimit që do të kenë përpara qytetarët kuksianë të dielën, ndërkohë që në zgjedhje kandidojnë Albert Halilaj nën siglën e PS-së, dhe Emri Vata nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Në zgjedhjet e së dielës, votuesit kuksianë do të zgjedhin vetëm emrin e kryetarit, dhe jo këshillin bashkiak, që do të mbesë në fuqi ai i zgjedhur në 14 Maj.

Sa i takon kandidatëve, Halilaj ka mbajtur më herët pozicionin e prefektit të qarkut Kukës, pozicion që tashmë është marrë nga ish-nënkryetari i bashkisë Granit Gjana. Nga ana tjetër Emri Vata është një kandidat që vjen nga radhët e policisë së shtetit, i cili ka mbajtur disa pozicione drejtuese në qytete të ndryshme të vendit.
Safet Gjici, i cili arriti të fitonte zgjedhjet e 14 Majit, me një diferencë 2 mijë votash në raport me Admir Sinamatin, u vu në prangat e policisë në 24 Qershor, rreth një javë nga publikimi i një videoje erotike, ku ai kryente marrëdhënie seksuale brenda në ambientet e zyrës së tij. Prej asaj kohe ai ndodhet pas hekurave nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, pasi i kishte premtuar Alma Kaçit fitimin e një tenderi për rehabilitimin e qenve, në këmbim të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të. /Zëri.ai