Politikë

“Nuk pati zell për ta hetuar”, Mediu pas vendimit të Strasburgut: S'e ka caktuar fajësinë time

“Pavarësisht se si ka vendosur Gjykata e Strasburgut, unë mendoj se familjarët nuk do të kompensohen dot në të gjitha pikëpamjet jo më në pikëpamjet financiare. Pastaj, konstatohet imuniteti im"

E.K
“Nuk pati zell për ta hetuar”, Mediu pas vendimit të
Fatmir Mediu

TIRANË- Pak orë pas publikimit të vendimit të Gjykatës së Strasburgut, ku thuhej se prokuroritë në Shqipëri kishin neglizhuar dhe zvarritur hetimet ndaj tij, ka reaguar dhe ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu. Në një intervistë në News 24, Mediu tha se Strasburgu nuk ishte shprehur për fajësinë apo pafajësinë e tij, ndërsa i qëndroi deklaratave se çështja është parashkruar, dhe rihapja e dosjes nga GJKKO është bërë jashtë çdo afati.

“Pavarësisht se si ka vendosur Gjykata e Strasburgut, unë mendoj se familjarët nuk do të kompensohen dot në të gjitha pikëpamjet jo më në pikëpamjet financiare. Pastaj, konstatohet imuniteti im.

Pas vitit 2009, ne i kemi kërkuar Gjykatës së Lartë me shkrim që nuk e njohim imunitetin dhe Gjykata e Lartë ka theksuar se kjo është një çështje institucionale dhe jo individuale. Nuk ka asnjë diskutim pavarësisht se mund të bëhen aludime, Gjykata e Strasburgut nuk ka përcaktuar fajësi apo pafajësi për Fatmir Mediun dhe konstaton se gjykimi është i vonuar në kohë. Në gjykimin tim është jashtë të gjitha afateve që parashikon ligji dhe Kodi Penal pasi çështja është parashkruar”, theksoi ai.

Ai deklaron se dëshmitarët deri më tani në Gjykatën e Posaçme nuk e kanë fajësuar atë për ndonjë shkelje. “Ne jemi në një proces gjyqësor dhe ka filluar me pyetjen e dëshmitarëve. Të gjithë dëshmitarët kanë treguar se nuk kanë lidhje me akuzën e ngritur ndaj Fatmir Mediut për shpërdorim detyre. Marrëdhëniet kanë qenë me firmën private që ka marrë një kontratë nga Ministria e Mbrojtjes. Pastaj se si është vepruar duhet të përcaktojmë”, deklaroi ai. “Aty janë çuar sasi të mëdha municionesh, nuk janë zbatuar rregullat e demontimit”, tha më tej Mediu.

Gjykata e Strasburgut është shprehur sot në lidhje me çështjen Gërdeci, e cila ishte dorëzuar në këtë organ të lartë të drejtësisë europiane nga familjarët e viktimave të shpërthimit në fabrikën e demontimit të armëve.

Në vendimin e Strasburgut që është publikuar gjatë ditës së sotme, thuhet se në procesin hetimor ndaj ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu ka pasur një zvarritje, ndërkohë që konsiderohet e drejtë përfshirja si palë në sallën e gjyqit e familjarëve të viktimave. Vendimi i Strasburgut pritet që t’i dërgohet Gjykatës së Posaçme ku është rihapur dosja e Gërdecit.

Në vendimin e Strasburgut thuhet se organet e drejtësisë në Shqipëri nuk kanë dhënë një përgjigje se pse hetimet për Gërdecin janë shtyrë për kaq shumë kohë. Ndërkohë që në lidhje me një dëmshpërblim financiar për familjarët e viktimave, Strasburgu vlerëson se ai që është dhënë nga shteti shqiptar është i drejtë, dhe se ata nuk mund të kërkojnë një të dytë sa kohë që nuk kanë ankimuar vendimin e parë./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB