Politikë

Opozita ankimon në KAS rezultatin e zgjedhjeve për Bashkinë Himarë

Bëhet fjalë për faktin që 6 mijë qytetarë nuk kanë mundur të votojnë për shkak të kartave të identitetit që u kishin skaduar. 

F.m

Opozita ankimon në KAS rezultatin e zgjedhjeve për Bashkinë

TIRANË- Partia Demokratike ka ankimuar në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve rezultatet e zgjedhjeve të pjesshme lokale që u mbajtën për Bashkinë Himarë. PD pretendon se ka pasur një sërë shkeljesh që duhen marrë parasysh nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pika që theksohet është ajo që është përsëritur shumë herë nga Partia Demokratike që nga dita e zgjedhjev që u mbajtën më 4 gusht. Bëhet fjalë për faktin që 6 mijë qytetarë nuk kanë mundur të votojnë për shkak të kartave të identitetit që u kishin skaduar. 

PD pretendon se kjo gjë duhet të ishte zgjidhur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërsa KQZ e ka bërë të qartë se duhet të ishin partitë politike ato që duhet të ishin lidhur me Ministrinë e Brendshme dhe të dilnim me një njoftim ku të bëhej me dije se do të lejoheshin të votonin edhe qytetarët me mjet identifikimi të skaduar. 

Ajo që përmendet është gjithashtu dhe dhënia e certifikatave të pronësisë nga kryeministri Edi Rama në Himarë, në prezencën e kandidatit të Partisë Socialiste, Vangjel Tavo. Sipas PD-së kjo gjë ka ndikuar në tjetërsimin e votës së banorëve. PD shton dhe se ditën e zgjedhjeve në Himarë kanë zbarkuar ministra e drejtues institucionesh dhe në këtë mënyrë kanë intimiduar qytetarët e biznesmenët si dhe kanë ndikuar në mënyrën se do të votonin ata. 

Vangjel Tavo fitoi me një diferencë me 1477 votash kundrejt kandidatit rival të koalicionit "Bashkë Fitojmë' në opozitë, Petro Gjikuria. Gjithsej, kandidati socialist numëroi në emrin e tij 5022 vota, pra 58.62%, ndërkohë Petro Gjikuria ka marrë 3545 vota, 41.38%./ZËRI

 

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB