
TIRANË- Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, akuzon Prokurorinë e Posaçme, se ka gënjyer në lidhje me pagesat që janë kryer nga ai dhe Argita, për mbrojtjen ligjore të Berishës brendra dhe jashtë vendit. Sipas Malltezit, nga llogaria e tij janë paguar vetëm shpenzimet për gjyqin e Berishës në Francë, pagesë e cila është deklaruar si borxh në ILDKPI. Malltezi shprehet se dy pagesa të tjera që ai ka kryer për Berishën në Angli, i janë rimbursuar nga ana e bashkëshortes së tij. Malltezi lë të kuptohet se ai dhe bashkëshortja kanë llogari të ndara. Më tej Malltezi ndalet dhe te donacionet e bamirësisë që ka bërë për Fondacionin që drejtohej nga Liri Berisha, ku thotë se çdo qindarkë ka qenë e deklaruar dhe se familja e ish-kryeministrit nuk ka pasur asnjë përfitim.
“Prokurorët politikë genjejnë kur shkruajnë se Jamarber Malltezi ka paguar faturat e avokateve të Sali Berishës. Në fakt te gjitha ia ka perballuar e bija, Argita. Unë kam paguar veç për gjyqin në Francë dhe me shumë kënaqësi ia mbuloj, por nuk e kanë pranuar, ndaj është shënuar borxh dhe është deklaruar si borxh edhe në ILDKP.
Më pas, janë 2 pagesa të tjera që kam kryer për në Angli me e-banking, por që të dyja janë rimbursuar 100% nga Argita.
Më pas gënjen që pagesat për Fondacionin Fëmijët Shqiptarë të cilat jane zekat-bamirësi për trajtimin e fëmijëve. Këtë zekat e kryej çdo vit, biles e kam kryer edhe para 2 javësh për një fëmijë tjetër në këtë qendër, por mendjet malinje të shërbëtorëve politikë e konsiderojne bamiresine si krim apo vepër penale.
Unë e kryej çdo vit me bankë, pasi kam paguar çdo detyrim tatimor.
Çdo lek i paguar shkon për trajtimin e fëmijëve, për pagesat e mjekëve, sanitareve, krijimin e kushteve për trajtimin e fëmijëve. Znj.Berisha punon për humanizëm në mënyrë vullnetare dhe nuk ka asnjë të ardhur, nuk merr pagë, as shpërblim. Pra, vetëm jep për këtë fondacion.
Pra, unë heq para të miat nga banka për të paguar trajtimin e fëmijëve dhe asnjë nga familja Berisha nuk përfiton asnjë lek.
Atëherë, pse sherbetoret politike të Edi Ramës e shenojnë bamiresinë si përfitim direkt të Sali Berishës?
Këtë vetëm një mendje malinje e urdhëruar nga shërbimi politik i Edi Ramës mund ta thotë.
Nuk ka asnje fakt, asnjë dëshmi, asnjë dokument që Jamarbër Malltezi ka pranuar apo ka dhënë ryshfet për asnjë person dhe nuk del në asnjë faqe të këtij dokumenti që e quajnë aktakuzë. Por shërbëtorët politikë të Edi Ramës e shpallin bamirësinë si krim, apo si vepër penale”, shprehet Malltezi në një deklaratë për mediat.
PAGESAT QË SIPAS SPAK, KA BËRË JAMARBËR DHE ARGITA MALLTEZI PËR FAMILJEN BERISHA DHE MBROJTJEN E ISH-KRYEMINISTRIT
Viti 2014: Gjithsej 24 000 euro (shuma 6,000 euro shpenzimet shëndetësore për shtetasen Liri Berisha deklaruar në ILDKPKI nga vetë shtetasi Sali Berisha se këto para janë dhënë nga dhëndrri i tij shtetasi Jamarbër Malltezi dhe 18 000 euro deklaruar nga shtetasi Shkëlzen Berisha se i janë dhënë hua, pa interes, nga shtetasi Jamarbër Malltezi, shumë e cila deri më sot nuk dokumentohet të jetë shlyer).
Viti 2017: 27 439.98 USD dhe 7,403.75 euro (shuma 7 403.75 euro shpenzimet mjekësore për shtetasin Sali Berisha, vetëdeklarim i shtetases Argita Malltezi në ILDKPKI dhe 27 439.98 USD paguar avokati i shtetasit Shkëlzen Berisha, av. Jason Zolads, në USA, shumë kjo e pretenduar e dhënë pa interes, sipas vetëdeklarimit të këtij të fundit).
Viti 2018: 3,000 euro (pushime të paguara nga Jamarbër Malltezi për shtetasit Sali dhe Liri Berisha, sipas vetëdeklarimit të tyre në ILDKPKI).
Viti 2021: Gjithsej 19 933.35 euro (13,288.9 euro pasqyruar si detyrim ndaj shtetasit Jamarbër Malltezi për shpenzimet e konsulencës, avokatisë për zyrën ligjore në Francë për çështjen Antony Blinken për shtetasit Sali dhe Liri Berisha sipas vetëdeklarimit të tyre në ILDKPKI dhe 6 644.45 euro, pasqyruar si detyrim ndaj shtetasit Jamarbër Malltezi për të njëjtin qëllim nga shtetasi Shkëlzen Berisha sipas vetëdeklarimit në ILDKPKI).
Viti 2022: 72,004.87 dollarë (Likujduar faturat e studios ligjore në UK në lidhje me praktikën ligjore nga vajza Argita Malltezi, sipas vetëdekalrimit të shtetasit Sali Berisha në ILDKPKI. Pagesa është kryer nga shtetasja Argita Malltezi sipas konfirmimeve bankare për ZAIEALLA And Co Limited).
Viti 2023: 201,675.6 euro dhe 54,382.76 usd (Likujduar faturat e studios ligjore në UK në lidhje me praktikën ligjore nga shtetasja Argita Malltezi për babain Sali Berisha. Ka gjithashtu disa pagesa nga Jamarbër Malltezi por ato i kreditohen në llogari këtij shtetasi nga Argita Malltezi).
Viti 2024: 213,590.27 euro (Likujduar faturat e studios ligjore në UK në lidhje me praktikën ligjore nga shtetasja Argita Malltezi për babain Sali Berisha).
PAGESA PËR FONDACIONIN NGA SHTETASIT MALLTEZI
Gjithashtu konstatohet se nje pjese parash nga te ardhurat e familjes Malltezi kane shkuar ne drejtim te Fondacionit Domenic Scaglione me president shettasen Liri Berisha. Konkretisht në periudhën 2010-2022 shtetasit Argita Malltezi dhe Jamarbër Malltezi, kanë sponsorizuar Fondacionin Fëmijët Shqiptarë, Domenick Scaglione, me president shtetasen Liri Berisha, në një shumë prej 8 599 647.6 leke, 24 171 euro euro, 8 225.89 USD
Pagesa për Fondacionit të Fëmijëve Shqiptar Domenick Scaglione nga shoqëritë Homeplan sh.p.k. dhe Kontakt sh.p.k.
Viti 2016: Shoqeria Homeplan sh.p.k. ne vitin 2016 ka transferuar prane Fondacionit të Fëmijëve Shqiptar Domenick Scaglione Shumen prej 18 534 euro.
Viti 2021: Shoqeria Homeplan sh.p.k. ne vitin 2021 ka transferuar prane Fondacionit të Fëmijëve Shqiptar Domenick Scaglione Shumen prej 1970 euro.
Viti 2022: Shoqeria Kontakt sh.p.k. ne vitin 2022 ka transferuar prane Fondacionit të Fëmijëve Shqiptar Domenick Scaglione Shumen prej 30,000 euro./ZËRI