
TIRANË- Kryeministri Edi Rama iu ka dhënë fund zërave, se Shqipëria mund të lidhë një marrëveshje të ngjashme si ajo me Italinë për emigrantët, me Britaninë e Madhe.
Teksa ndodhet në një vizitë zyrtare në Bruksel, Rama tha në një prononcim për Euroneës, se marrëveshja e Italinë është ekskluzive, dhe nuk do të përsëritet me shtete të tjera. “I duam të gjithë, por me Italinë kemi dashuri pa kushte”, tha Rama të enjten.
"Ne vendosëm ta bëjmë këtë (marrëveshjen e emigracionit) bazuar në ndjenjën e përgjegjësisë si fqinjë, si evropianë," është shprehur Rama. “Sigurisht që është më mirë sesa thjesht të luftosh ideologjikisht për këtë çështje dhe të mos bësh asgjë”.
Deklarata vjen pasi Kryeministri britanik, Keir Starmer, u takua në Romë me homologen italiane Giorgia Meloni për të diskutuar, ndër të tjera, edhe për skemën që do të zbatohet mes Italisë dhe Shqipërisë.
Sipas saj, emigrantët që kërkojnë azil në Itali do të dërgohen në kampin e ngritur në Shëngjin në pritje të vlerësimit të aplikimit të tyre, për t’u dërguar më pas në Itali nëse marrin përgjigje pozitive, ose në vendin e origjinës nëse aplikimi refuzohet.
Sipas marrëveshjes, në vendin tonë do të dërgohen deri në 36 mijë azilkërkues në vit. BE nuk e ka kundërshtuar marrëveshjen, megjithatë organizma të ndryshme janë shprehur se do të ndjekin me vëmendje zbatimin e saj, nëse cënon apo jo të drejtat e njeriut.
Kampi i azilkërkuesve në Shëngjin, i përfunduar tashmë, do të jetë pika e parë ku do të mbërrijnë emigrantët, ndërsa qendra tjetër do të ngrihet në ish-bazën ajrore të Gjadrit. Këto qendra do të përdoren për përpunimin e kërkesave për azil, me mundësi për kthimin e emigrantëve të paligjshëm në vendet e origjinës. Marrëveshja me Shqipërinë, e nënshkruar vitin e kaluar, parashikon pritjen e deri në 3 mijë emigrantëve për një periudhë 5-vjeçare./ ZËRI