
TIRANË- Edhe pse pa debate, ka dështuar edhe sot mbledhja e Komisionit Hetimor për koncesionet e Sterilizimit dhe të Check-up në Shëndetësi. Mbledhja nisi me akuzat e kryetares së Komisionit, deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e cila hodhi akuza ndaj kolegëve socialistë. Në mbledhje, ajo njoftoi se i ka kërkuar kryetares së Kuvendit zëvendësimin e Plarent Ndrecës, nënkryetarit socialist të hetimorit dhe marrjen e masave disiplinore ndaj deputetëve të PS, Plarent Ndreca, Erjon Braçe dhe Ilir Metaj për dhunë verbale.
Por më së shumti u ndal tek deputeti Braçe! Albana Vokshi ka pasur kritika të forta duke shtuar se deputetet gra socialiste duhej të reagonin pasi ajo u fye dhe dhunua verbalisht nga Braçe.
"Si duhet ta pranoni drejtimin me forcë me dhunë? Shumë mirë që bërë deklaratë për kolegen Konomi. Por si nuk bëtë deklaratë për Braçen kur shau dhe fyeu? Po fshihni abuzimin me 200 milion euro të dy koncesioneve. E keni rrëmbyer këtë komision, sepse nuk doni transparencë. Nuk ka ndodhur kurrë kjo që po ndodh sot me këtë komision hetimor. I kemi dërguar Spiropalit shkresë, pasi kemi deleguar shkeljet e panumërta të deputetëve të këtij komisioni i kemi kërkuar zëvendësimin e nënkryetarit dhe të paralajmërojë 6 deputetët e tjerë. Komisioni hetimor funksionon me ligj të veçantë. Kërkojmë që 5 deputetët e përjashtuar me firmë të Bushkës të jenë këtu prezent deri në fund të komisionit,"-tha ajo.
Madje ka përgatitur kallëzim penal për bllokimin e komisionit hetimor për Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjonçaj dhe drejtuesin e gardës, për masat që Vokshi i quan 'arbitrare'.
Nga ana e tij nënkryetari Plarent Ndreca u shpreh se opozita vijon me shkuljen e mikrofonave dhe në këto kushte, pamundëson punën hetimore të Komisionit. Në radhën e saj, Vokshi kërkoi në Komision që të lejohet kthimi i deputetëve të opozitës pjesë në këtë komision hetimor, të cilët janë përjashtuar nga Sekretariati i Etikës prej kaosit që shkaktuan në Kuvend në dy herët e shkuara, por socialistët i kanë qëndruar vendimit të tyre, duke u shprehur se nuk bëjnë dot "hapa pas", pasi tashmë kolegët janë subjekte të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar./ZËRI