Politikë

"Respektoni pavarësinë e institucioneve!"/ Gonzato i BE komenton komisionin "Xhafaj"

Gonzato shtoi se BE do të ofrojnë ekspertizën e tyre për çështjet që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe reformën në drejtësi.

M.M
"Respektoni pavarësinë e institucioneve!"/ Gonzato i BE
Silvio Gonzato

ELBASAN- Ditën e sotme ka ardhur edhe një reagim nga ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato për bojkotin që institucionet e drejtësisë i kanë bërë komisionit “Xhafaj”. Gjatë një vizite në Elbasan, ai u shpreh se është e domosdoshme që të ruhet pavarësia e institucioneve të drejtësisë por ama duhet edhe kontributi i tyre në konsolidimin e reformës së drejtësisë. Gonzato shtoi se BE do të ofrojnë ekspertizën e tyre për çështjet që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe reformën në drejtësi.

"Në fakt unë nuk mendoj që është ashtu. Mendoj që ata kanë patur një mendim tjetër dhe ndoshta është interpretuar ndryshe nga media mendimi që ata kanë dhënë. E kam fjalën për Këshillin e Lartë Gjyqësorin, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, SPAK-un dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Duhet të respektohet pavarësia e institucioneve të drejtësisë, që do të thotë do të duhet edhe kontributi i tyre, por mbi të gjitha do të duhet të konsolidohet reforma e drejtësisë e vitit 2016. Kjo na ka bërë ne që të ofrojmë ekspertizën tonë, në mënyrë që të përshpejtohen të gjitha përpjekjet që kanë të bëjnë me parandalimin e korrupsionit, me mirëqeverisjen , por dhe me konsolidimin e reformës në drejtësi."

Komisioni anti-korrupsion u ngrit nga mazhoranca socialiste me një përbërje prej 11 anëtarësh, ku 5 vende i takojnë opozitës, e cila nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje. Kreu i Komisionit, Fatmir Xhafaj, i drejtoi kërkesa për bashkëpunim institucioneve publike, por shumica prej tyre kanë refezuar të marrin pjesë.

Gjithashtu ambasadori i BE foli shkurtimisht për protestën që opozita organizoi më 7 tetor.

"E kam dhënë një koment të shkurtër një ditë më pas në parlament. Më lejoni të them se ne jemi në procesin e hapjes të grup kapitullit të parë për negociatat për integrimin në BE, që ndoshta është edhe grup kapitulli më i rëndësishëm dhe për këtë arsye është grup kapitulli i parë që hapet , por edhe i fundit që mbyllet. Që do të thotë se është shumë e rëndësishme në këtë kontekst që Kuvendi i Shqipërisë të funksionojë ashtu siç duhet.  Një kuvend si mazhoranca dhe opozita luajnë rolin e tyre përkatës", tha ai.

Ndërsa kur u pyet për djegien e karrigeve nga opozita, ai u shpreh se nuk është mënyra e duhur për të denoncuar mungesën e demokracisë.

“Besoj që opozita ka mënyra nga më të ndryshmet për të denoncuar mungesën e demokracisë dhe nuk besoj që djegija e karrigeve është mënyra efikase më e mundshme”, tha ai.

Këto deklarata ambasadori i BE i bëri nga Elbasani teksa vizitoi një biznes social , ambjenti i të cilit i është sekuestruar një eksponenti të krimit të organizuar në Elbasan./ ZËRI

Poll

MOS HUMB