
TIRANË- Ka përfunduar seanca e parë në Gjykatën e Posaçme për Fredi Belerin, kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës në zgjedhjet e 14 Majit. Seanca e radhës është lënë2 në datën 17 Tetor në orën 13:00.
Avokatët e tij kërkuan pavlefshmëri të regjistrimit të hetimeve për Belerin dhe përjashtim të gjyqtares Etleva Deda nga trupa e gjykimit.
Edhe gjyqtarja dorëzoi dorëheqjen nga çështja për shkak se ka shqyrtuar më herët një kërkesë të Belerit nën akuzë për korrupsion në zgjedhje.
Po ashtu, Beleri kërkoi pavlefshmëri të akteve të dërgimit të dosjes në gjykim, aktin e regjistrimit të procedimit penal në Prokurorinë e Vlorës, si edhe autorizimet për përgjime audio e video.
Fredi Beleri doli sot para Gjykatës së Posaçme në seancën e parë të shqyrtimit në themel të akuzës ndaj tij. Në ambientet e GJKKO, janë paraqitur qytetarë, familjarë dhe gazetarë nga Greqia për të ndjekur procesin.
E pranishme, ashtu si edhe në çdo seancë tjetër ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, është edhe ambasadorja greke.
Beleri mbahet në burg që prej 12 majit të këtij viti pasi u arrestua për blerjen e votave në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit. Pavarësisht dhjetëra kërkesave të tij për të lënë qelinë në mënyrë që të bënte betimin si kryebashkiak i zgjedhur, deri tani drejtësia ka vendosur kundër tij./Zëri.ai