Politikë

PROFILI/ Kush është Arben Ahmetaj, 'delja e zezë' apo 'tigri' i aferave korruptive?

Për të kuptuar çfarë ka ndodhur me figurën e Ahmetajn, me rrugën që ai ndoqi në politikë por edhe për tu pasuruar, Zëri.ai ka rindërtuar karrierën politike të ish-ministrit. A është një karrierë politike apo një rast që tregon profilin e ‘tigrit’ në krye të një institucioni publik, siç do të donte dhe vetë ai ta quanim?

Fjola Graçi
PROFILI/ Kush është Arben Ahmetaj, 'delja e zezë' apo
Arben Ahmetaj

TIRANE- Prej 4 muajsh askush nuk e di ku ndodhet Arben Ahmetaj. Ish-numri dy i qeverisë është zyrtari i dytë më i lartë shtetëror që pas Mbretit Ahmet Zogu që arratiset jashtë vendit. Por nëse të parit largimi i erdhi në rrethana pushtimi, Ahmetaj e la Shqipërinë në kohë paqeje, në kulmin e sezonit veror.

Me një përshëndetje nga pika Doganore e Kakavijes, Ahmetaj u largua me këpucë të kuqe dhe me dy dosje që vazhdojnë të hetohen nga Prokuroria e Posaçme, që premton se për ish-zv.kryeministrin ka supriza.

Por nëse kthehemi pas në kohë, në vitin 2017, askush nuk do ta mendonte asnjëherë që do të ishte pikërisht Ahmetaj, njeriu që do të akuzonte kolegët e tij socialistë, mes tyre edhe “kokën” e vërtetë, që po e pikturon si një dele të zezë.

PROFILI/ Kush është Arben Ahmetaj, 'delja e zezë' apo
Arben Ahmetaj duke ikur nga Shqiperia, Kakavije 2023

A është vërtetë Ahmetaj “delja e zezë” e kopesë?

Për të kuptuar çfarë ka ndodhur me figurën e Ahmetajn, me rrugën që ai ndoqi në politikë por edhe për tu pasuruar, Zëri.ai ka rindërtuar karrierën politike të ish-ministrit. A është një karrierë politike apo një rast që tregon profilin e ‘tigrit’ në krye të një institucioni publik, siç do të donte dhe vetë ai ta quanim?

I lindur në Gjirokastër më 28 qershor të 1969, 54 vjeç, Arben Ahmetaj nuk e nisi karrierën në Partinë Socialiste. Në vitin 1991, Ahmetaj u diplomua për gjuhë angleze në Universitetin e Tiranës. Fill pas mbarimit të shkollës, Ahmetaj u punësua si këshilltar ish-ministrit të Financave, Genc Ruli, në qeverinë e parë të Partisë Demokratike. Katapultimi pranë Rulit e ndihmoi Ahmetajn të punonte në një projekt të Departamentit të Thesarit të SHBA në Shqipëri. Asokohe puna e Ahmetajn nuk lidhej direkt me ekonominë, por me faktin se njohja e anglishtes e bënte të parapëlqyer në Ministri.

Por me kalimin e kohës, Ahmetaj po kuptonte se me diplomën e një mësuesi anglishteje,(fakt që opozita e Sali Berishës do t’ja përdorte më pas për ta diskredituar në publik), nuk kishte për të arritur shumë lart.

Kështu në vitin 1992, përmes një kursi 1 mujor në SHBA për mikrokreditë, Arben Ahmetaj nis një rruge që do ti garantonte shumë më shumë se rroga e mësuesit të anglishtes.

Ishte koha kur Sali Berisha ishte president i vendit dhe dominonte jetën politike dhe qeverisjen e vendit. Me vetëm 1 kurs 1- mujor ai u punësua në Bankën e Shqipërisë si Këshilltar për Çështjet Fiskale, post që e mbajti deri në 1995.

Për të marrë një diplomë që do ti përshtatej me punën, ai shkoi në SHBA ku kreu masterin për “Tregti Ndërkombëtare dhe Diplomaci” në Kentucky të Shteteve të Bashkuara. Në vitin 1997 ai u diplomua.

28 vjeç, ishte gati koha për ndërrim kursi.

Në vitin 1997, nga demokrat ai u kthye në socialist. Fatos Nano dhe Arben Malaj, ministër i Financave, e morën Ahmetajn si drejtor të Përgjithshëm të Tatimeve, në vitin 1997, kohë kur shteti nuk ekzistonte më.

“Dikur ju mësoja unë juve të ishit i dobishëm për Shqipërinë, tani do më tregoni ju mua nëse duhet ose jo avokat”, iu drejtua Malaj-Ahmetajt në vitin 2019, dikur ish-shefi i tij në një përballje në Komisionin e Ekonomisë ku kërkohej pezullimi i Malajt nga posti i anëtarit të BSH.

Kuptohej që vitet e “kalitën” Ahmetajn në nuhatjen e interesave dhe fuqisë politike që mbizotëronte në Shqipëri.

Partia Socialiste ishte kampi i tij, por nuk dihet qartë nëse ishte i fundit para se të largohej nga Shqipëria.

Ahmetaj mbajti postin e drejtorit të Tatimeve deri në vitin 1999, kur ai nisi të merrej me biznes. Ahmetaj hyri në fushën e telefonisë celulare përmes kompanisë Hermes Communication.

Në 16 gusht të vitit 2000, ai themeloi kompaninë si ortak i vetëm. Por vetëm 2 javë më pas, më 31 gusht, ai ia doli edhe pse sapo i futur në treg, të fitojë një kontratë të majme me Albtelecom.

Inceneratorët nuk janë çështja e parë për të cilën ish-ministri akuzohet. Kohë më parë, biznesi i tij “Hermes Communication” e futi Ahmetajn në një furtunë akuzash për konflikt interesi. Edhe pse kontrata është denoncuar për vite me radhë nga Berisha dhe opozita, si abuzive, hetimi i saj nuk ka konluduar asgjë. Sipas akuzës, Ahmetaj bleu 4 herë më lirë mbi 18 mln impulse, duke i shkaktuar një dëm prej rreth 50 mln dollarësh kompanisë shtetërore. Prokuroria e mbylli çështjen pa gjetur prova që të fajësonin Ahmetajn.

Edhe pse karriera politike vazhdonte në hije, ku deri në 2005 ai mbajti postin e zv.ministrit, me ndërrimin e pushteteve, kur demokratët erdhën në qeveri, Ahmetaj garoi për herë të parë për deputet, por nuk mundi të hynte në parlament.

Ai u zgjodh në vitin 2009 si deputet në Tiranë, dhe më pas në Gjirokastër. Ishte viti 2013, koha e artë e Rilindjes.

Pas 8 viteve në opozitë, ai u emërua ministër për Sipërmarrjen në vitin 2013 ndërsa në shkurt të 2016 ai zuri vendin e Shkëlqim Canit.

Inceneratorët kishin gati 1 vit që po gatuheshin. Kur Arben Ahmetaj mori drejtimin e ministrit të Financave, kabineti i kishte dhënë dritën jeshile kompanisë Albtek Energy. 22 milionë euro ishte vlera e kontratës fituese për dyshen Klodian Zoto-Mirel Mërtiri, dhe nisja e një makthi për publikun që vazhdon pas 9 vitesh.

Me shkuarjen e Ahmetajt te Financat, ITS, Integrated Integrated Technology Services sh.p.k. mori një kontratë me vlerë 25 milionë euro për trajtimin e mbetjeve.

Ndërkohë që në vitin 2017, qeveria i dha një kompanie që nuk ekzistonte dhe u regjistrua 3 muaj më pas, një kontratë koncesionare me vlerë 128 milionë euro.

Hetimi për Fierin dhe Elbasanin ka dalë në përfundimin se pas kompanive, fshihen Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Ndërkohë që për Tiranën, hetimi vazhdon.

Zoto-Ahmetaj-Mërtiri ortakëria e prishur për inceneratorin e Tiranës?

Deri në kohën kur u miratua kontrata për inceneratorin e Tiranës, treshja Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Arben Ahmetaj vazhdonin  të ruanin miqësinë e tyre.

Në hulumtimet që Zëri.ai ka bërë rezulton se marrëdhëniet e tyre ishin aq të afërta saqë ish-bashkëshortja e Ahmetaj, Albin Mançka kryente punimet në zyra dhe apartamentin ‘Airbnb’ dhe pagesat bëheshin nga ITS.

Por sërish për këto pagesa, çifti Ahmetaj-Mançka nuk ka një version.

Ajo që dimë është se aksidenti i 2017, më 16 korrik të atij viti, ekspozoi për herë të parë në publik lidhjet e Ahmetajt me biznesmenët e inçeneratorëve. Ai u aksidentua dhe në makinë me të ndodhej edhe Mirel Mërtiri.

Ortakëria ishte drejt prishjes, pasi muaj më vonë, Klodian Zoto do të niste të kërkonte nga hotelet që tashmë janë publikuar në media, faturat që kishte paguar për qëndrimet e Ahmetajt jashtë vendit. Në listën e emaile-ve të Zotos, u gjetën 6 hotele ku Zoto pretendon se ka paguar me kartën e tij të kreditit qendrimin e Ahmetajt.

Bankomati i grupit në dosjen e SPAK rezulton se është Zoto, për të cilin edhe pse Ahmetaj thotë se nuk ka asnjë njohje me të, ai ka paguar në mënyrë tejet bujare për të gjithë. Në këmbim të çfarë?

Zyra 13/2

Në dosjen e SPAK, në 320 faqe, Prokuroria ka renditur tabulatet e bisedave mes Ahmetajt, Mërtirit dhe Zotos, ku shihet se vendtakimi i tyre i preferuar është godina e Sky Tower.

Godina e Sky Tower ishte njësia bazë funksionale e grupit të inceneratorëve. Në të njëjtin ambient, në verën e vitit 2014, Stela Gugallja do të ngjitej në katin e 13-të për të regjistruar zyrën si adresën e kompanisë “Albtech Energy”. Disa javë më vonë, kjo kompani fitoi kontratën e Elbasanit në një garë pa konkurrentë. Po e njëjta zyrë, 13/2 strehoi edhe kompaninë ITS me pronar Klodian Zoton. Njësoj si Albtech, edhe ITS I dërgoi letër qeverisë për të ndërtuar një incinerator në Fier. Gara nisi dhe në shtator të 2016, fitoi zyra 13/2 ku streohej ITS-ja e Zotos.

Në fillim të shtatorit 2017, APP shpalli fituesin edhe për inceneratorin e Tiranës. Natyrisht, fitoi “Zyra 13/2” në Sky Tower. Për 2 vite, një zyrë e vetme, ia doli të fitoi 3 kontrata me vlerë dhjetëra milionë euro për incenerimin e mbetjeve të vendit, ndonëse pa asnjë përvojë në këtë fushë. Një grup njerëzish, u prezantuan si histori suksesi, ku vetëm në vitin 2016, morën nga thesari 1.7 milardë lekë pagesa. Plot 13 herë e përmend SPAK, godinën Sky Tower në dosjen Ahmetaj, ku i referohet takimeve të grupit Ahmetaj-Mërtiri-Zoto dhe adresës zyrtare të grupit që gllabëroi miliona euro.

Privatizimi i Buka, Ahmetaj sërish në akuzë për shpërdorim detyre

Dosja e dytë për Ahmetajn është bërë publike dje nga SPAK, që e ka marrë të pandehur duke i komunikuar dhe akuzën e "shpërdorimit të detyrës". Prokuroria thotë se nga ky hetim ka rezultuar se Ahemtaj është i përfshirë në rolin e zëvendës kryeministrit në 'shpërdorim detyre' dhe një dëm ekonomik në vlerën e 7 miliard lekëve ndaj familjes Myderizi pronare e mbi 50 % të aksioneve, tek ish ndërmarrja aksionere 'Buka Sha'. Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit të cilët kanë marrë në pyetje Arben Ahmetajn kur ishte në Shqipëri, dhe të dyshuarit ndër veprimet e tjera kanë gjetur edhe komunikime të shpeshta të ish zv.kryeministrit me biznesmenin para privatizimit, madje ata kanë udhëtuar bashkë jashtë vendit. Në praktikën e privatizimit të ndërmarrjes në të cilën edhe shteti ishte aksioner rezulton se është gjetur shkelje mbi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila detyronte shtetin të pranonte si çmim shitje atë të vlerës së tregut dhe jo vlerën e vitit 1994.

Ky është procedimi i dytë penal ndaj Ahmtaj, pasi në një tjetër procedim për aferën e inceneratorit tashmë ai është shpallur në kërkim dhe rezulton se është larguar nga Shqipëria. Dosja ka qenë më herët në Prokurorinë e Tiranës, e cila ka vendosur moskompetencë për shkak të subjektit të kallëzuar penalisht të lidhur me veprën penale siç ishte ish zv.kryeministri dhe aktualisht deputeti Ahmetaj.

Delja e zezë e PS?

Por përveç opozitës, Ahmetaj nuk ishte i preferuari i socialistëve. Erion Braçe ishte njëri prej tyre që e akuzonte për politika të gabuara fiskale, sidomos në sektorin e bujqësisë.

Të gjitha këto akuza e përplasje për rolin e Arben Ahmetajt në koncesionin e inceneratorëve, por edhe për rindërtimin, ku një raport auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit vinte theksin te mungesa e transparencës dhe mosrespektimi i procedurave, ushqyen për muaj me radhë zërat se Edi Rama do ta largonte nga kabineti qeveritar.

Rama u mbrojt duke thënë se Ahmetaj nuk u shkarkua për asnjërën nga këto akuza, ndërsa ende dhe sot e ka pjesë të grupit parlamentar, të papërjashtuar dhe me mandat të pazëvendësuar.

Vetë Ahmetaj është në kërkim ndërkombëtar prej 24 korrikut dhe akuzohet për “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB