
TIRANË- Propozime në interes të Kryeministrit Edi Ramna, i ka cilësuar Oerd Bylykbashi, propozimet e bëra këtë të enjte nga kreu i Partisë Demokratike zyrtare Lulzim Basha gjatë konferencës me gazetarët. Sipas Bylykbashit, propozimet e Lulzim Bashës, i hapin rrugë jo vetëm ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, por dhe Kushtetutës. Deklaratat i bëri i ftuar në ‘Syri Tv”.
Oerd Bylykbashi: Komisioni i Reformës Zgjedhore bipartizan, me dy bashkëkryetar, me veton e mazhorancës dhe opozitës, dy partive kryesore, ka garantuar dy herë rotacion politik demokratik me votë, në vitin 2005 dhe 2013. Që kur ka ardhur Edi Rama nuk ndodhur më komision reforme zgjedhore konsensual në parlament. Edhe këshillit politik, edhe ai më pas u nxor nga loja me ndryshimet kushtetuese të njëanshme. Rama nuk po thotë asgjë të re, por po e thotë në mënyrë të hapur atë që ka ndërmend të bëjë dhe që ka bërë edhe në të shkuarën. Do ta bëjë reformën vetëm. Ai votat nuk i ka, ka vetëm 75 vota të PS-së, 3 vota të partisë së Tom Doshit, dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë, është me votat e Lulzim Bashës. Reforma zgjedhore nuk është një garë, se kush propozon i pari një draft. Propozimet që ka bërë Basha, janë të tilla që i hapin rrugën, jo vetëm ndryshimeve në Kodin Zgjedhor mes këtyre të dyve, Ramës dhe Bashës, por eventualisht mund të shkohet edhe në ndryshimin e Kushtetutës, për ta bërë Shqipërinë, Republikë Presidenciale. Propozimi është i Bashës, interesi është i Ramës. Qartazi drafti është i Ramës, qëllimi është i tij, për ti dhënë atij një pushtet që nesër Rama të jetë President me pushtet njësoj si Vuçiç, por ama propozimin e ka bërë Basha. Nëse Rama do të pranonte presidentin nga popullit, duke bërë sikur po e bën nga halli, por ky është interesi i tij, atëherë Basha është krejt i motivuar për ti dhënë votat Ramës, që ai e tha në fjalën e tij në fund të dhjetorit, që tha, se do të përpiqem të gjej konsensus numerik, në ndryshim nga ajo që kërkojnë ndërkombëtarët.
Çfarë tha Lulzim Basha sot?
Lulzim Basha: PD ka shpalosur prioritet duke depozituar disa projektligje. Pas depozitimit të paketës tonë për reformën zgjedhore, kemi pasur premtime për mbledhjen e komisionit të reformës. Dje dëgjuam kryeministrin që iu rikthye lojës së vjetër me reformën. Ka një komision bipartizan për reformën. Opozita është e përfaqësuar plotësisht. Ne mbetemi të hapur për plotësime rreth paketës tonë të propozimeve, por ne besojmë se paketa jonë adreson në mënyrë shteruese problemeve me reformën zgjedhore. Shqipëria një zonë vendore sjell barazinë e votës. Vota e emigrantëve është një propozim që i jep fund pengesave për të mundësuar votën e emigrantëve. Thirrja ime në emër të PD është që të nisë menjëherë puna në komision e reformës zgjedhore. PS të lerë mënjanë çdo alibi e ti japim shqiptarëve një reformë zgjedhore./ZËRI