
TIRANË-Kryetari i Partisë Demokratike zyrtare Lulzim Basha ka ‘’thyer’’ këtë të enjte heshtjen dhe ka dalë përpara gazetarëve në një koferncë për mediat ku ndër të tjera u ndal tek Reforma Zgjedhore. Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se duhet të nisë menjëherë puna në komisionin e Reformës Zgjedhore dhe i bëri thirrje Partisë Socialiste që të lërë mënjanë alibitë. Sa i përket deklaratave të bëra një ditë më parë nga Kryeministri Edi Rama, se reforma mund të bëhet dhe pa komision, Lulzim Basha u shpreh se Rama u është rithyer lojërave të vjetra të reformës, por nuk do të ia dalë.
Lulzim Basha: PD ka shpalosur prioritet duke depozituar disa projektligje. Pas depozitimit të paketës tonë për reformën zgjedhore, kemi pasur premtime për mbledhjen e komisionit të reformës. Dje dëgjuam kryeministrin që iu rikthye lojës së vjetër me reformën. Ka një komision bipartizan për reformën. Opozita është e përfaqësuar plotësisht. Ne mbetemi të hapur për plotësime rreth paketës tonë të propozimeve, por ne besojmë se paketa jonë adreson në mënyrë shteruese problemeve me reformën zgjedhore. Shqipëria një zonë vendore sjell barazinë e votës. Vota e emigrantëve është një propozim që i jep fund pengesave për të mundësuar votën e emigrantëve. Thirrja ime në emër të PD është që të nisë menjëherë puna në komision e reformës zgjedhore. PS të lerë mënjanë çdo alibi e ti japim shqiptarëve një reformë zgjedhore.
Komisioni për Reformën Zgjedhore është kthyer në një “mollë sherri”, jo vetëm mes socialistëve dhe demokratëve., por dhe vetë brenda këtyre të fundit. Komisioni i afirmuar më herët për Reformën Zgjedhore, me Enkelejd Alibeaj bashkëkryetar Komisioni krah Damian Gjinkurit, hasi në kundërshtinë e Gazment Bardhit dhe grupit të deputetëve që mbështesin Sali Berishën, të cilët kërkuan ndryshimin e anëtarëve, duke bërë pjesë deputetët që janë rreshtuar në krah të Bardhit dhe ata në krah të Sali Berishës. Kjo është kundërshtuar dhe nga Alibeaj dhe nga Partia Socialiste. Ky ngërç vijon prej 24 shtatorit. Me sa duket me paralajmërimin e kësaj të mërkure nga Kryeministri Edi Rama, ky Komision mund të vijojë punën pa praninë e demokratëve, të cilët ende nuk kanë lajmëruar lëvizjen e radhës./ZËRI